Gjykata e Posaçme kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka konfirmuar masat e arrestit me burg për Flodian Plakun dhe efektivin Rezart Kuçi.
Ata akuzohen si pjesë e grupit të Inez Hajrullës, që u godit të shtunën nga SPAK dhe që akuzohet për krime kundër personit, trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim parash.
Flodian Plaku ndodhet aktualisht në burg për vrasjen e Gentjan Bejtjas në Fushë-Krujë, ndërkohë që efektivi Kuçi u arrestua të shtunën në kuadër të operacionit të SPAK.
Ndaj Flodian Plakut rëndon akuza e trafikut të drogës, ndërsa ndaj policit që ushtronte detyrën në Kukës rëndojnë tre akuza, ajo e shpërdorimit të detyrës, trafikut të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
SPAK theksoi se Plaku akuzohet se ka porositur 750 kg kokainë që u kap në portin e Roterdamit në Holandë. Droga ishte porositur nga Ekuadori nga Flodian Plaku në bashkëpunim me Mendu Dukën dhe persona të tjerë të paidentifikuar, me destinacion vendet e BE-së.
Sipas SPAK, grupi kishte krijuar një mekanizëm financiar të sofistikuar për të financuar dhe transportuar lëndët narkotike.
Ndërsa efektivi Kuçi përveçse akuzohet se i jepte grupit të Hajrullës informacione konfidenciale si dhe ndërhynte paligjshmërisht në sistemin TIMS, akuzohet edhe si porositës i 400 kg kokainë të trafikuar nga Spanja, e cila u kap në Gjermani në dhjetor të vitit 2020.
