Pjesa e trupit që zbulon deri në 73 sëmundje kronike!

A mundemi ne, vetëm duke matur temperaturën e kyçit të dorës, të marrim informacion se sa rrezikohemi të përballemi me një sërë sëmundjesh të ndryshme në të ardhmen? Po, pohon një ekip studiuesish nga Shkolla e Mjekësisë Perelman, të cilët argumentojnë se monitorimi i vazhdueshëm i temperaturës së kyçit të dorës mund të zbulojë informacion në lidhje me rrezikun e sëmundjes në të ardhmen për gjendje serioze, si diabeti i tipit 2, hipertensioni, sëmundjet e mëlçisë, dështimi i veshkave dhe të tjera. Në studimin përkatës të botuar në Nature Communications, argumentohet se monitorimi i saktë dhe i vazhdueshëm i temperaturës së lëkurës mund të sigurojë njohuri më të thella mjekësore.

Kujtohet se deri më tani temperatura e trupit është shoqëruar me një gamë të kufizuar sëmundjesh, si sindroma metabolike dhe diabeti. Duke përdorur të dhëna shëndetësore nga një popullatë e madhe, studimi i ri zbulon se, temperatura e trupit dhe veçanërisht temperatura e kyçit të dorës mund të zbulojnë shumë më tepër sesa mendohej më parë.

Për hulumtimin, studiuesit mblodhën të dhënat e më shumë se 92,000 pjesëmarrësve nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar për një javë, gjatë aktiviteteve tipike ditore, duke përfshirë gjumin. Pjesëmarrësit monitoruan temperaturën e kyçit të dorës, duke regjistruar ndryshimet që ndodhën mes ditës dhe natës. Ky regjistrim siguroi të dhëna shtesë si për ritmin cirkadian, ashtu edhe për ciklin gjumë-zgjim, së bashku me të dhënat që ndikohen nga kushtet mjedisore, si ulja e temperaturës së brendshme gjatë periudhave të gjumit.

Gjetjet zbuluan se ndryshimi i temperaturës së kyçit të dorës mund të thotë shumë për shëndetin. Më konkretisht, studimi tregoi se deri në 73 sëmundje të ndryshme shoqëroheshin me temperaturën e kyçit të dorës. Pjesëmarrësit që treguan ndryshime më të vogla nga dita në natë në leximet e temperaturës së kyçit të dorës u përballën me një rrezik në rritje të zhvillimit të këtyre problemeve shëndetësore; sëmundja e mëlçisë yndyrore jo-alkoolike (NAFLD) (91%), diabeti i tipit 2 (69%), dështimi i veshkave (25%), hipertensioni (23%) dhe pneumonia (22%). Ekipi hulumtues më pas krijoi Temperature Biorhythm Atlas, një faqe interneti lehtësisht e aksesueshme që përmban të gjithë këtë informacion


Shtuar 28.09.2023 21:52