Pirro Vengu në mesnatë afër vatrave të zjarrit: Kjo është e qëllimshme dhe unë s’e pranoj këtë

Gjatë mesnatës, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka mbërritur në zonat e prekura nga zjarret në Shashicë dhe Kaninë, ku vazhdon beteja me flakët në terren.

Në video, ai duket bashkë me kryetarin e Bashkisë Ermal Dredha dhe kryeplakun e fshatit, të cilit i thotë se kjo zjarrvënie është e qëllimshme dhe e papranueshme.

Në Kaninë, përveç angazhimit të efektivëve të Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësve, në operacion u përfshinë edhe avionët ‘Canadair’ të cilët po ndërhyjnë nga ajri, për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Situata mbetet serioze për shkak të erës dhe temperaturave të larta, ndërsa forcat në terren po punojnë në kushte të vështira për të mbajtur nën kontroll vatrat aktive.

Ministri Vengu, theksoi rëndësinë e koordinimit mes strukturave, për të parandaluar përkeqësimin e situatës dhe për të mbrojtur zonat e banuara dhe pasuritë natyrore.


Shtuar 27.07.2025 07:36