Një banor i fshatit Seferan në Belsh ka denoncuar publikisht punonjës të Policisë Bashkiake dhe të Policisë së Shtetit, duke i akuzuar se i kanë marrë ryshfet për ta lejuar të vijonte një ndërtim pa leje. Denoncimi është bërë nga Ylli Gjoshi, i cili deklaron se ka paguar shuma parash për të mos u ndaluar punimet.
Sipas deklarimeve të tij, fillimisht janë paraqitur punonjës të Policisë Bashkiake të Belshit, të cilët i kanë ndaluar punimet me argumentin se objekti nuk kishte leje ndërtimi. Gjoshi pretendon se i është kërkuar një pagesë në këmbim të “zgjidhjes” së situatës dhe se ka dorëzuar 500 euro një punonjësi të Policisë Bashkiake, i cili më pas e ka lejuar të vijonte punimet deri pranë përfundimit të ndërtimit.
Ai deklaron se ndërtimi ka vijuar pa pengesa pas kësaj pagese, por situata është rishfaqur në momentin kur ka nisur rrethimin e objektit me mur. Në këtë fazë, sipas tij, janë paraqitur punonjës të Policisë së Shtetit nga Komisariati i Belshit, të cilët i kanë kërkuar para për të mos ndërhyrë.
Gjoshi pretendon se dy punonjës policie i janë paraqitur disa herë, fillimisht duke i kërkuar shuma më të vogla, ndërsa më pas i kanë kërkuar një pagesë prej 500 mijë lekësh. Ai thotë se paratë ua ka dorëzuar brenda automjetit të policisë dhe se këto veprime janë dokumentuar nga kamerat e sigurisë që kishte instaluar në banesë.
Sipas deklarimeve të tij, pagesa është kryer një ditë para largimit të policëve, ndërsa ai thekson se mban përgjegjësi të plotë për gjithçka që ka deklaruar, përfshirë edhe familjen e tij. Banori shton se pamjet filmike tregojnë qartë lëvizjet e punonjësve të policisë pranë banesës së tij.
Pas publikimit të këtyre pretendimeve, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka reaguar duke marrë masa administrative. Me vendim të drejtorit të policisë, dy punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra, në zbatim të nenit 222 të Rregullores së Policisë së Shtetit, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Bëhet fjalë për inspektor Skender Nipolli , me detyrë ndihmësspecialist i Policimit në Komunitet në Stacionin e Policisë Belsh, si dhe inspektor Genc Çalja, me detyrë ndihmësspecialist, agjent krimesh, në Komisariatin e Policisë Cërrik. Sipas njoftimit zyrtar, pezullimi ka ardhur pas pretendimeve se punonjësit e policisë kanë marrë ryshfet për të lejuar një ndërtim pa leje në fshatin Seferan./Tvklan
Pezullohen policët Skender Nipolli dhe Gent Calja në Belsh pasi banori i denoncoi për rryshfet: Kërkuan 500 mijë lekë
