Komisioni Europian ka penalizuar Shqipërinë me bllokimin e fondeve për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për praktikat e korrupsionit që ka gjetur në programin IPARD II që u zbatua gjatë periudhës 2014-2020, sipas konfirmimeve që u dhanë më 19 korrik nga Zyra e BE-së në Shqipëri për mediat.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka deklaruar se do të kërkojnë ngritjen e një Komisioni Hetimor për korrupsionin në lidhje me pezullimin e fondeve.
Përmes një postimi në Facebook, Basha shkruan se kryeministri i vendit ka ndërtuar një shtet të të korruptuarve.
Kreu i PD-së thekson se fermerët janë lënë në mëshirë të fatit pas pezullimit të fondeve dhe janë favorizuar klientët që me këto fonde ndërtojnë vila në komplekset luksoze të bregdetit.
Postimi i plote:
Nuk është hera e parë që propagandës dhe retorikës shtinjake i del boja. Kur arritjet imagjinare ndeshen me faktet, duket qartë se e vetmja gjë që ka ndërtuar Edi Rama është një shtet i të korruptuarve.
Kështu ka ndodhur me mega-aferën e Inceneratorëve, kështu po ndodh me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë.
Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke lënë në mëshirë të fatit fermerët e ndershëm të këtij vendi, për të favorizuar klientët e zakonshëm që me këto fonde ndërtojnë vila në komplekset luksoze të bregdetit.
Për këtë skandal që nxiu faqen e Shqipërisë përpara partnerëve europianë dhe që pengon rrugëtimin tonë drejt BE-së, Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të zbardhur shpërdorimin e fondeve për bujqësinë dhe për të garantuar transparencën që qytetarët meritojnë.
Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe fundi i pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës janë prioritete të Partisë Demokratike, arritja e të cilave garanton ndryshimin që shqiptarët presin.
/Albeu.com/