Pezullimi i Ballukut/ Rama: Gjyqësori rrezikon të gjymtojë aftësinë e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, kësaj i thonë “hapu dhe”

Këtë të enjte, në fjalën e tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar, kryeministri Edi Rama, u shpreh se sfida aktuale nuk qëndron te rreziku i ndërhyrjes së legjislativit apo ekzekutivit në drejtësi, por te mundësia që segmente të gjyqësorit të cenojnë funksionimin normal të dy pushteteve të tjera.

Teksa përmendi pezullimin e Belinda Ballukut, nga një gjyqtar dhe prokuror në një seancë, sipas tij, pa gjyq, e cilësoi si rast të paprecedentë.

Po ashtu, ai kritikoi përpjekjet për rritje pagash përmes vendimeve gjyqësore, duke argumentuar se përcaktimi i politikave të pagave dhe taksave është atribut i pushtetit legjislativ.

“Pas 100 e kusur vjetësh, ne i dhamë pavarësinë, prandaj dhe unë që e kam udhëhequr partinë dhe këtë shumicë në rrugën e përpjetë për pavarësinë e gjyqësorit, nuk bëhem kurrë pishman, pavarësisht bombave artificiale kur ndizen nga lloj lloj gjykatësish, që shija e pavarësisë i deh, i errëson sytë dhe i nis në drejtime që cenojnë pavarësinë e pushteteve të tjera, duke i bërë shkelës të lirive dhe të drejtave të njeriut. Prandaj dhe sot rreziku i udhëkryqit të mjegullt në këtë aspekt nuk është që legjislativi apo ekzekutivi të canojë pavarësinë e gjyqësorit, por gjyqësori të gjymtojë jo thjesht pavarësinë e dy të tjerëve, por aftësinë e dy të tjerëve për të funksionuar. Kjo ka ndodhur në vende të tjera, por kjo nuk mund të ndodhë në këtë vend sepse ky vend që është në ngjitje të vazhdueshme nuk e ka luksin të frenohet, jo më pastaj të ribjerë aty ku ishte. Çfarë është përveçse ndërhyrje brutale në territorin e pushteteve të tjera pezullimin i një ministri nga një gjykatës e prokuror, në një seanca pa gjyq, i ndodhur në historinë e botës?

Çfarë është përveçse ndërhyrje gjymtise në territorin e pushtetit legjislativ përpjekja e një shoqatë për të rritur pagat e veta me gjyq, që kur në historinë e republikave me tre pushtete, pushteti gjyqësor llogarit paga dhe përcakton politikat e pagave apo të taksave, të një vendi. Çfarë është rasti më i fundit, përveçse ndërhyrje në territorin e pushtetit legjislativ vendimi i GJK sesi parlamenti ka vendosur të ndajë komisionit parlamentare, hapu dhe i thonë kësaj”, deklaroi Rama.

Rama paralajmëroi se rrezikohet jo vetëm paanshmëria e gjyqësorit, por edhe funksionaliteti i shtetit, administratës publike dhe klimës së sipërmarrjes.

“Por shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare dhe kuturisjet e përsëritura jashtë kornizës kushtetuese dhje ligjore të fashite pasi nuk do të kemi një pushtet gjyqësor të paanshëm, por as një shtet funksional, apo administratë publike e cila të japë më të mirën e vet për performancën e vet pa pasur frikë të marrë vendimi për blerjen e letrës higjienike.

As do të kemi dot një sipërmarrje të lirë, deri larg qoftë një konsumuar të liruar nga frika se mos bjerë në sy. Këto janë leksione që vendet e tjera i kanë nxjerrë me vonesa të caktuara”, tha Edi Rama.


Shtuar 26.02.2026 11:52