Petkov-Kovaçevski: Bullgaria pranon emrin e shkurtuar Maqedonia e Veriut (VIDEO)

Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Bullgarisë kanë arritur avancim në bisedimet për zgjidhjen e kontestit bilateral.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, pas takimit me homologun e tij bullgar Kiril Petkov, njoftoi se është arritur dakordim që Bullgaria të mos e pengojë përdorimin e emrit të shkurtër, respektivisht emrin Maqedonia e Veriut në institucionet ndërkombëtare.

 Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut

“Kjo do të thotë se Bullgaria nuk do të pengoj më përdorimin e emrit të shkurtër në asnjë proces ndërkombëtarë dhe bilateral, dhe për këtë ka njoftuar edhe OKB-në. Në të njëjtën kohë Maqedonia e Veriut përmes MPJ ka dërguar notë verbale  në OKB për përdorimin e emrit të gjatë dhe të shkurtër ku vërtetohet se të dy emrat janë të vlefshme në mënyrë të barabartë dhe ku vërtetohet mungesa e çdolloj implikimi në integritetin territorial të Bullgarisë”

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, nga ana e tij tha se në takimin e sotshëm kanë pasur një bisedë të mirë dhe miqësore me Kovaçevskin dhe se kanë rënë dakord që fqinjësia e dy vendeve të ngrihet në një nivel edhe më të lartë.

Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë

“Bashkëpunimi Shkup-Sofje do të jetë real. Do të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë dhe të sjellim rezultate të sakta që të u mundësojmë qytetarëve të lëvizin lirshëm. Çdo takim tani e tutje, do të caktohet me qëllime të carta, rezultate të qarta dhe marrëdhënia miqësore nuk do të jetë vetëm në nivel politik por edhe biznesor. Atë që sot e arritëm është gjë reale. Kjo është një punë e përbashkët,  dhe do të kemi një dialog të ri konstruktiv”

Petkov shtoi se në Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë ka një përkufizim të qartë të gjuhës dhe identitetit, dhe se ata e mbështesin përcaktimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Sinkron: Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë

“Marrëveshja për fqinjësi të mirë ka një definicion shumë të qartë të gjuhës dhe në atë drejtim ne absolutisht mbështesim përcaktimin e të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë si dhe përdorimin e të gjitha gjuhëve siç përshkruhet në Kushtetutë. Ne e kuptojmë plotësisht këtë dhe do të vazhdojmë t’i trajtojmë të gjitha çështjet në atë frymë konstruktive”

Kryeministrat e  të dyja shteteve gjithashtu kanë rënë dakord që të formohen grupe punuese të cilat do të përfshijnë fusha të ndryshme, si të infrastrukturës, ekonomisë  tregtisë, arsimit, kulturës, ku gjithashtu do të përfshihet edhe Komisioni për çështje historike dhe arsimore. Siç potencuan krerët e  dy qeverive, këto trupa punues  janë krijuar si grup pune  ndërsektoriale në të cilat do të marrin pjesë jo vetëm politikanët, por edhe përfaqësues të sektorëve të cilëve u referohen.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut javën e ardhshme më 25 janar do të mbajnë mbledhje të përbashkët qeveritare, me qëllim  intensifikimin e bisedimeve për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes të dyja vendeve.


Shtuar 18.01.2022 18:19