Pesë votat që tronditën qeverinë/ Kush votoi pro dhe kundër Erion Veliajt brenda Gjykatës Kushtetuese

5 vota pro dhe 3 kundër brenda Gjykatës Kushtetuese i dhanë të drejtë Erion Veliajt të rimarrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Pas një beteje jo të shkurtër, Erion Veliaj ia doli në Kushtetuese, duke rrëzuar kështu vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin e Presidentit Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.

Kundër kërkesës së Veliajt ka votuar vetë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, Sonila Bejtja e Gent Ibrahimi, ndërsa Pro, votuan Sandër Beci, Ilir Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari, Mariana Semini.

Kujtojmë se Erion Veliaj më datë 31 Tetor mori pjesë në seancën gjyqësore në “Kushtetuese”, një seancë maratonë që zgjati rreth 7 orë. Veliaj kërkoi shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij si të papjtueshëm me Kushtetutën, si edhe shfuqizimin e dekretit të Presidentit Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.

Pas parashtrimit edhe njëherë të kërkesave të tij dhe argumenteve nga mbrojtësit ligjorë, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për të marrë vendim, ndërsa Erion Veliaj iu drejtua sërish qelisë së paraburgimit në Durrës.

Por, me vendimin e sotëm, Gjykata Kushtetuese i ka treguar Edi Ramës dhe publikut se kush do të jetë “zot” i kryeqytetit.

Kujtojmë se Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, i kërkoi Këshillit Bashkiak të Tiranës procedurat e shkarkimit të Erion Veliajt, ndërsa shpalli si kandidate të PS, Ogerta Manastirliun.


Shtuar 3.11.2025 19:55

Tags: ,