Përshkallëzohen marrëdhëniet SHBA-Rusi, Biden takohet sot me liderët e krahut lindor të NATO-s

Më 24 shkurt shënohet përvjetori i parë nga pushtimi rus i Ukrainës dhe në vend që situata në vijën e frontit të ngadalësohet, duket se po nis faza e tretë e luftës.

Në prag të përvjetorit të “operacionit special ushtarak”, siç e karakterizon Rusia pushtimin e Ukrainës, presidenti amerikan dhe homologu i tij rus i hodhën benzinë zjarrit me fjalimet e mbajtura, Joe Biden nga Polonia, dhe Vladimir Putin nga Moska.

Presidenti amerikan udhëtoi në Kiev dhe më pas në Varshavë për të zbutur shqetësimet e qeverive të Evropës Lindore për zhvillimet gjeopolitike në rajon. Ai dërgoi përsëri një mesazh të mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën.

Ndërsa sot Biden do të takohet sme liderët lindorë të NATO-s pas fjalimit të Vladimir Putin, i cili fajësi Perëndimin për luftën në Ukrainë.

Presidenti i SHBA-së dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të takohen me anëtarët e Bukuresht 9: Bullgarinë, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Rumaninë dhe Sllovakinë.

Në fjalimin që mbajti një ditë pas një vizite dramatike në Kiev, presidenti Joe Biden siguroi Ukrainën dhe aleatët e

NATO-s për mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara.

“Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë”, tha ai.

Presidenti Biden tha se “mbështetja për Ukrainën nuk do të ndalet, NATO-ja nuk do të përçahet dhe ne nuk do të lodhemi,” tha ai.

“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, se angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës sonë të NATO-s dhe nenit 5 është i fortë”, tha zoti Biden duke iu referuar parimit të NATO-s se një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.

“Çdo anëtar i NATO-s e di këtë. Edhe Rusia e di: një sulm kundër njërit është një sulm kundër të gjithëve.”

Presidenti amerikan tha se presidenti rus, Vladimir Putin po përballet sot me demokraci më të forta.

“Kur Presidenti Putin urdhëroi tanket e tij të hynin në Ukrainë, ai mendoi se ne nuk do të bënim asgjë. Ai ishte i gabuar”, tha zoti Biden.

Ai tha se Rusia po kryen mizori ndaj Ukrainës, duke i quajtur veprimet e Moskës “krime kundër njerëzimit”.
Presidenti rus Putin ka bërë shpesh fajtor perëndimin për luftën në Ukrainë. Ai bëri të njëjtën gjë të martën në fjalimin për gjendjen e vendit.

Presidenti Biden reagoi kundër këtyre akuzave duke thënë se “perëndimi nuk po bën komplot për të sulmuar Rusinë”, por po mbron demokracitë.

Biden deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre do të shpallin më shumë sanksione kundër Rusisë këtë javë lidhur me agresionin ndaj që filloi gati një vit më parë.

Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të organizojnë një takim të nivelit të lartë të NATO-s vitin e ardhshëm, në 75 vjetorin e aleancës.

Një fazë e re, e ndërlikuar e luftës

Vizita e Presidentit Biden vjen ndërsa agresioni rus i Ukrainës po shkon drejt një faze edhe më të ndërlikuar, ndërsa si Ukraina edhe Rusia bëhen gati për ofensiva të reja në pranverë.

Lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – ka shkaktuar deri tani vdekjen e mijëra personave, ka shkatërruar sistemin e infrastrukturës së Ukrainës dhe ka dëmtuar ekonominë globale.

Shtëpia e Bardhë ka theksuar se nuk duket të ketë një përfundim të qartë të luftës në të ardhmen e afërt dhe se situata në terren po bëhet gjithnjë e më komplekse.

Analistët paralajmërojnë se ka një rrugë të gjatë përpara.

“Luftimet janë ende të ndezura dhe si Ukraina ashtu edhe Rusia mendojnë se mund të triumfojnë ushtarakisht. Pra padyshim jemi larg fundit dhe situata në terren e tregon këtë”, thotë për Zërin e Amerikës, studiuesi Mathieu Droin i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Udhëtimi i Presidentit Biden përkoi me fjalimin e Presidentit Putin përpara përvjetorit të pushtimit dhe me sa duket synonte ta linte atë në hije. Vizita e tij në Ukrainë thotë eksperti Droin, e nxjerr udhëheqësin rus në dritë të keqe.

“Natyrisht për Vladimir Putinin, të kesh presidentin e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë vetëm disa ditë para përvjetorit (të luftës) është një sinjal shumë, shumë i keq”, thotë ai.

Vizita e Presidentit Biden u mirëprit nga polakët e zakonshëm dhe nga 2.5 milionë ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë refugjatë nga konflikti, që tani jetojnë në Poloni. Shumë kërkojnë mbështetje më të guximshme perëndimore për Kievin, përfshirë furnizimin me avionë luftarakë, gjë që deri tani Shtetet e Bashkuara nuk e kanë premtuar./albeu.com/


Shtuar 22.02.2023 11:10