Përplasjet në çift dhe karriera në politikë, Kryemadhi si rrallëherë: Silva Caka helmoi Ilir Metën kundër meje, sot unë jam askushi për vendime

Ish-deputetja Monika Kryemadhi ishte e ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Çim Peka Live” ku foli për përplasjet në çift me Ilir Metën, karrierën politike dhe për bashkëpunëtorë e ish-bashkëpunëtorë të LSI-së dhe Partisë së Lirisë.

Kryemadhi theksoi se nuk është askushi për të marrë vendime dhe për të gjykuar vendimet e Ilir Metës ndërsa theksoi se e kanë adhuruar atë.

Ish-deputetja u shpreh se nuk kanë bërë asgjë kundër Ilir Metës, ndërsa theksoi se ata që kanë shkuar te Partia Socialiste, si Silva Caka apo Endrit Braimllari, janë personat që kanë helmuar Presidentin e Partisë së Lirisë në marrëdhënie me Monika Kryemadhin.

Biseda në studio:

Kryemadhi: Unë nuk dua të gjykoj dhe sot jam askushi për të marrë vendime dhe për të gjykuar vendimet e Ilir Metës. Jo vetëm Monika, por dhe shumë të tjerë e kanë adhuruar Ilir Metën. S’kanë bërë asgjë kundër Ilir Metës, kanë qenë besnikë.

Çim Peka: Të gjithë e shitët. I ke te Rama sot të gjithë. Te Rama i ke. Çfarë ka akuzuar Ilir Meta si tradhtarë, faktikisht dolën të tillë.

Kryemadhi: Po edhe Monikën tradhtare e ka akuzuar. Edhe Elona Gurin tradhtare e ka akuzuar. Ku i ka? I ka te Rama sot?

Çim Peka: S’po flasim për nënën e fëmijëve.

Kryemadhi: Nëna e fëmijëve ishte e para. Tani këta ishin ushtarët e nënës së fëmijëve. Metës ia kam bërë të qartë që mesazhet që merrte nga njerëz që sot s’i ka afër vetes së vet, ishin për të nxitur se gjithë historia e tradhtisë nisi se kush do bëhej deputet. Ata që kanë shkuar te PS-ja janë ata që kanë helmuar Ilir Metën në marrëdhënie me Monikën. Edhe Braimllari filloi t’i luftonte të gjithë. Thoshte të heq këta të mos jenë deputetë. Pastaj shkoi Silva Caka se do u bënte vetë deputete. I përdorën të tjerët për interesat e tyre.


Shtuar 29.09.2025 23:18