Përplasjet e fundit në Kosovë tregojnë zbehjen e ambicieve ballkanike të BE-së

Nga Jasmina Kuzmanovic & Misha Savic “Bloomberg

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Përpjekjet e Bashkimit Evropian për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve serbe dhe shqiptare të Kosovës janë duke u hedhur në erë, teksa dhuna po përhapet në të gjithë veriun e vendit. Përplasjet më të rënda në një dekadë shpërthyen të hënën kur paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO u thirrën për të ndalur përleshjet midis protestuesve serbë dhe policisë së Kosovës.

Tridhjetë ushtarë dhe dhjetëra serbë u plagosën. Me mbështetjen e SHBA-së, BE-ja ka udhëhequr bisedimet ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Serbisë fqinje në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet që po bllokojnë rrugën e tyre drejt anëtarësimit eventual në union.

Ndërsa problemi kryesor është refuzimi i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, e cila e zyrtarizoi shkëputjen e saj nga Beogradi në vitin 2008, armiqësia midis dy komuniteteve daton që nga lufta në Kosovë një brez më parë.

Rusia dhe Kina e kanë mbështetur pozicionin radikal të Serbisë, duke i shtuar mosmarrëveshjes një dimension gjeopolitik, dhe duke ndihmuar në vazhdimësinë e ndarjeve që vazhdojnë të përndjekin vendet e ish-Jugosllavisë.

Përplasja e ka lënë pjesën veriore të Kosovës, kryesisht të populluar nga serbët, në një harresë ekonomike, dhe të paralizuar nga marrëdhëniet e akullta midis Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa shumica etnike-shqiptare në pjesën tjetër të vendit ka gëzuar një zhvillim  relativ.

Shpërthimi i dhunës, po ndodh në një moment kritik për aleatët perëndimorë që e kanë mbështetur shtetin e Kosovës që nga krijimi i tij. Lufta e Ukrainës kundër pushtimit rus është e përgatitur në mënyrë delikate dhe SHBA-ja dhe BE-ja po përpiqen që të zmbrapsin përpjekjet e Kremlinit për të fituar mbështetje në vende si Kina, India dhe Brazili, me synim portretizimin e NATO-n si agresore.

Dhe kjo do të thotë se diplomatët perëndimorë kanë burime të kufizuara për t’u fokusuar në një vatër tjetër shpërthyese në kontinentin evropian, edhe pse shqetësohen se përfshirja në një krizë tjetër mund të ofrojë karburant për operacionin propagandistik të Kremlinit.

Shkaku më i fundit për protestat e dhunshme ishin zgjedhjet komunale të mbajtura në muajin prill, të cilat u bojkotuan nga serbët me inkurajimin e hapur të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.

Por kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e vazhdoi procesin, pavarësisht paralajmërimeve nga SHBA-ja dhe BE-ja se ky veprim do të thellonte tensionet. Kur shqiptarët etnikë fituan postet drejtuese në komunat e dominuara nga popullata serbe, këto tensione dolën jashtë kontrollit javën e kaluar kur krye-komunarët e sapozgjedhur filluan që të mbërrijnë në zyrat e tyre.

Të martën në mëngjes, kryetarët e komunave u tallën nga qindra protestues serbë lokalë teksa u shoqëruan në zyrat e tyre nga policia kosovare. Qeveria e Kosovës refuzoi kërkesat e sërbëve për tërheqjen e zyrtarëve nga postet e tyre.

“Për qeverinë e Kosovës nuk kishte asnjë opsion të mirë. Përpjekja për të vendosur qoftë edhe me forcë zyrtarët e tyre të zgjedhur lokalë, është një alternativë më e mirë sesa të heqësh tërësisht dorë nga veriu i vendit”- thotë Aidan Hehir, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Uestminsterit, Britani.

Shkollat në veri janë mbyllur nga e hëna pasi prindërit kishin frikë për sigurinë e fëmijëve të tyre, duke pasur parasysh praninë e madhe ushtarake në zonën e populluar nga rreth 50.000 serbë. Të premten e kaluar Vucic vendosi në gatishmëri të lartë ushtrinë serbe, teksa i zhvendosi disa njësitë më afër kufirit, duke nxitur shqetësimet në Serbi se sa shumë mund të përkeqësohet situata në veri të Kosovës.

Beogradi u detyrua nga NATO që të tërhiqte forcat e tij nga Kosova në vitin 1999. Për Albin Kurtin, kjo lëvizje është pjesë e vendosmërisë së tij për të treguar se qeveria e tij mund të qeverisë në të gjithë territorin e Kosovës, dhe jo vetëm në zonat e dominuara nga shqiptarët etnikë.

Por serbët thonë se ai ka refuzuar një marrëveshje për t’u garantuar atyre më shumë autonomi. I inkurajuar nga fitimi i mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare, Kurti e ka çuar përpara vizionin e tij mbi Kosovën pavarësisht kritikave të hapura dhe të ashpra nga Perëndimi. Nga ana e tij, Vucic po përballet me protesta të vazhdueshme në Serbi, pavarësisht se fitoi gati 60 për qind të votave në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Ai ka përmendur publikisht mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për të konsoliduar akoma më shumë pushtetin e tij, dhe për të larguar kërcënimin nga çdo zë opozitar, edhe pse krahasuar me Kurtin, ai është përballur relativisht pak me kritika publike nga BE-ja dhe në veçanti Shtetet e Bashkuara.

“Pozicioni i SHBA-së është zhvendosur ndjeshëm tek koncepti naiv se nëse ata mbajnë marrëdhënie të mira me Aleksandar Vucic, ai do të bëhet pjesë e Perëndimit. Por ironia është se ndërsa situata e Vucic në Beograd po bëhet më e lëkundshme, Perëndimi duket se vazhdon që ta mbështetë atë”- thotë Hehir. /albeu.com


Shtuar 1.06.2023 10:11