Përplasja pushtet – opozitë për Martin Berishajn në Kuvendin e Kosovës, si degardoi debati në sharje dhe kush ishin nxitësit?

Përmendja e emrit të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nga mediat në Slloveni në kuadër të një skandali të shpëlarjes së parave ka rezultuar më përplasje të mëdha në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mes të opozitës që kërkon shkarkimin e tij dhe pushtetit që mbron Berishajn duke vënë në pikëpyetje raportimin e mediave në Slloveni me arsyetimin se ka qenë fushatë parazgjedhore.

Madje debati ka eskaluar deri në atë masë, sa që shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, është dëgjuar duke sharë pasi që deputetët e pozitës e pengonin në përpjekjen e tij për të folur dhe për t’iu kundërpërgjigjur ministres Albulena Haxhiu.

Por si nisi gjithçka dhe kush janë autorët e gjithë përplasjes në Kuvend…

Debati në Kuvendin e Kosovës është nxehur pasi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, teksa argumentonte për ta mbrojtur ambasadorin Martin Berishaj, kishte thënë se më kredibil është raporti i Freedom House sesa raportimi i Planet Tv, duke përmendur paragrafin e raportit ku përmenden ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-presidenti Hashim Thaçi si “të lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin”.

“Tash për mua më kredibil është raporti i FH sesa Planet TV dhe për këtë besoj po e dini se për çfarë e kam fjalën. Në raportin e FH u përmenden dy figura të Kosovës që kanë lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, dolën me konferenca e deklarata për t’i kundërshtuar ato. Mirë që të flisni edhe për këtë raport, sepse po të ishte ndonjë zyrtar i VV’së në atë raport, jam shumë e bindur se çfarë reagime do të kishit”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Kjo deklaratë e Haxhiut kishte nxitur reagimin e menjëhershëm të shefit të GP të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Është e pabesueshme se deri në çfarë niveli keni shkuar për ta mbrojtë inkriminimin të një zyrtari të lartë të Republikës së Kosovës për shpëlarjen parave dhe në çështjen e tregtimit të energjisë elektrike. Është e pabesueshme se si ambasadori s’ka arritë me demantu që s’është e vërtetë. E kemi prit një pres konferencë nga ai dhe ta dëshmoj që s’ka gjirllogari në Mal të Zi, që s’është pagu nga GEN-i me bazë në Serbi. Dhe sot me dalë ministrja e Drejtësisë me e justifiku këtë skandal, do ta kisha kuptu heshtjen, por me e justifiku këtë skandal, vërtetë duhesh të jesh në zor të madh”, kishte thënë Abelard Tahiri në replikën e tij ndaj ministres Haxhiu.

Replikë ndaj Haxhiut ka pasur edhe Ramush Haradinaj, i cili ka qenë i shkurtër në fjalën e tij.

“Të nderuar kolegë të VV’së, a po e shihni ku keni mbrri. Ministrja e Drejtësisë është bërë avokate. Sot të paktën ministrja është dashtë me thanë do të zbatohet ligji për z.Berishaj dhe për secilin, a jeni ka e shihni ku keni mbrri”, ka thënë Haradinaj në kundërpërgjigjen e tij.

Pas disa replikave nga disa deputetë të opozitës e pas fjalës së shefes së GP-së të VV’së, Mimoza Kusari-Lila, Konjufca ia kishte dhënë fjalën ministres Haxhiu për ta bërë replikën përfundimtare.

Pasi Haxhiu ishte afruar tek foltorja, Abelard Tahiri bashkë me deputetët e PDK-së kishin filluar të replikonin nga vendi duke mos e lejuar Haxhiun që të fliste.

Haxhiu në reagim e sipër ka përmendur edhe disa “shurdhues” që sipas saj i kishte blerë Abelard Tahiri, dhe më pas duke kaluar në nismën për krijmin e Grupit Hetues Parlamentar.

Pas kësaj, deputetët e PDK’së kishin filluar të krijonin zhurmë duke goditur tavolinat e Kuvendit dhe duke mos e lejuar Haxhiun që të fliste, gjë që ka shfaqur nevojën për ndërhyrjen e Glauk Konjufcës, i cili i kërkonte Haxhiut që të ulej në vend dhe t’i jepej fjala opozitës.

Haxhiu pas pak rezistence me arsyetimin se e ka të drejtën e fjalës dhe se nuk do të lëviz nga vendi, iu bind këshillës së Konjufcës që të ulej në vend.

Pas kësaj, fjalën e kishte marrë Abelard Tahiri, i cili u pengua nga bashkëpartiakët e ministres Haxhiu në të njëjtën formë. Kjo ka çuar edhe në sharje nga Abelard Tahiri, i cili më pas edhe ka kërkuar falje për shprehjen “Ah robtë jau…”, pas tërheqjes së vërejtjes nga kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Më pas seanca ka vazhduar dhe Haxhiut i është dhënë e drejta e fjalës, duke thënë se më shumë i beson raportit të FH sesa raportimit të mediave në Slloveni.

Pastaj ka folur shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, duke thënë se është e turpshme të tentohet mbulimi i skandalit të Martin Berishajt duke e përmendur Hashim Thaçin i cili ndodhet prej dy vitesh në burg si rezultat i Gjykatës Speciale./GazetaExpress/