Përplasja me Sulën, Çollaku nuk përjashton kallëzimin në SPAK: Skenë që turpëron çdo deputet

Përveç konflikteve që kanë me mazhorancën, duket se deputetët demokratë nuk po munden dot ta gjejnë gjuhën e përbashkët as mes tyre.

Ditën e sotme, deputeti Dashnor Sula dhe Kreshnik Çollaku janë përplasur fizikisht dhe kanë fyer njëri–tjetrin aq sa u desh ndërhyrja e gardistëve për të shuar sherrin.

Çollaku në një deklaratë për mediet e cilëson ngjarjen një incident të turpshëm.

Çollaku: As në ’97-ën e tmerrshme kurrë nuk do e kisha imagjinuar që mund të gjendesha në situatë të ngjashme me atë që u ndodha sot. Unë kam marrë pjesë në një mbledhje të komisionit që drejtohet nga opozita nga kryetarja Jorida Tabaku, i ftuar nga kjo e fundit. Shkova të marr pjesë në mbledhje, u gjenda në sallë me një situatë surprizë. U ballafaqova me një ngjarje e cila më turpëron si qytetar i këtij vendi, si anëtar i PD, si deputet. Në një sulm të pakuptueshëm verbal që pastaj përfundoi me goditje fizike, një ish-kolegu im realizoi një skenë që turpëron çdo deputet të këtij parlamenti. Unë e kuptoj se ka një vullnet për të heshtur opozitën, ka një aleancë për të heshtur siç ndodhi në seancën për rezolutën e Kosovës. Shqetësimi im është sesi mund të degradojë deri në këtë nivel jeta parlamentare. Kushdo duhet të ndihet i fyer nga kjo skenë pasojë e së cilës rashë viktimë unë

Çollaku nuk poërjashton as mundësinë e një kallëzimi të Sulës në SPAK lidhur me atë që ndodhi.

Çollaku: Juristët e mi po vlerësojnë rastin për kallëzimin, nuk përjashtohet si mundësi./Albeu.com


Shtuar 10.11.2023 11:31