Gjykata e Lezhës ka njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” për kreun e njësisë administrative Kallmet, Besnik Simoni, dhe fqinjin e tij, Altin Marku, të cilët të pretem e kaluar u përplasën me armë zjarri.
Kujtojmë se, konflikti i nisur rreth një vit më parë mes Simonit dhe Markut ka vijuar përgjatë gjithë kohës. Të premten Marku kishte debatuar sërish në zyrën e Simonit, por për shkak se kishte prani të njerëzve dhe administratës, Marku është larguar. Rreth dy orë me vonë ata janë takuar sërish në rrugën e fshatit drejt superstradës, ndërsa afër ishte edhe banesa e autorit.
Kësaj here ata kanë zbritur nga makinat dhe kanë filluar debatin që ka agravuar në fyerje personale. Sipas policisë, në këto kushte Simoni dhe Marku kanë qëlluar në drejtim të njërit tjetrit ku edhe janë plagosur. Një person ndihmoi administratorin dhe e dërgoi në spital ndërsa Altin Marku i plagosur në krah u largua vetë.