Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka dhënë një deklaratë për mediat përpara hyrjes në Kuvend, ku ka sulmuar sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Kryemadhi foli për rastin e ri të korrupsionit të zbuluar nga SPAK, lidhur me kartën bankare të dhënë nga biznesmeni i tij kushëri Adrian Shatku, përmes së cilës ka shpenzuar 244 mijë dollarë për veshje, bileta avioni e hotele në vende të botës.
Kryemadhi shënjestroi Blushin, teksa tha se në vend që të lexojë dokumentet të SPAK për të, duhet të flasë për Ergys Agasin apo Ulsi Manjën.
Kryemadhi e akuzoi Blushin se e largoi Metën nga shtëpia, i largoi njerëzit nga Partia e Lirisë, duke shtuar me ironi se tani që u bë deputet, nuk e di se çfarë kërkon që të marrë më.
“Tedi Blushi mori ca kishte për të marrë. I largoi të gjithë këshilltarët në presidencë kur ishte Meta, i largoi nga partia e Ilir Metës, të gjithë kontribuuesit dhe themeluesit e partisë. E gënjeu se ia kanë hequr vjehrrin nga puna por e ka akoma nëndrejtor te spitali i burgut.
Nuk e di ca do më. Deputet u bë. Nga shtëpia e largoi Ilir Metën, takimet e kalamajve ua djeg në burg Blushi. Nëse do edhe një fustan apo një palë këpucë me taka të miat ia jap me qejf. Të dalë e të flasë njëherë për Ergys Agasin, për Ulsi Manjën, apo nuk guxon dot se ka gruan në punë aty.
Ai është izoluar Meta, është një nga të burgosurit më të izoluar në burg, edhe dje nuk e lanë djalin për të hyrë. Pra ky zotëria përpara se të dalë të lexojë deklaratat e SPAK për Kryemadhin, le të dalë të bëjë një deklarata për drejtorin e Përgjithshme të Burgjeve, për ministrinë e Drejtësisë”, u shpreh Kryemadhi.