Vijojnë përplasjet mes kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi dhe ministres së Financave, Delina Ibrahimaj. Reagimi i radhës i Kryemadhit vjen pas deklaratës së ministres Ibrahimaj për një numër prej mbi 500 kompanish që kanë kryer evazion fiskal.
Kryetarja e LSI, në një postim në Facebook, shprehet se qeveria ia la topin drejtësisë “për të justifikuar hajdutërinë qeveritare me koncesionet dhe veprimet fiskale.” Sipas saj, me siguri që Administrata Tatimore në vitin 2018 e ka hasur dhe evazionin fiskal në vlerën 2.6 milionë dollarë të shoqërisë koncesionare të inceneratorit të Fierit.
Kryemadhi pyet a është hetuar kjo kompani koncesionare nga Administrata Tatimore dhe nëse po, a është referuar në prokurori?
MONIKA KRYEMADHI NË FACEBOOK
“Në vitin 2018, financat shqiptare kanë referuar në prokurori disa kompani fiktive që kanë kryer evazion fiskal me vlera miliona dollarë.
Znj. ministre e financave deklaroi sot në Kuvend që janë 500 firma private të hetuara dhe referuara në prokurori për evazion fiskal, e që është detyrë e prokurorisë hetimi i tyre dhe detyrë e gjykatës dënimi i tyre.
Pra, qeveria ia la topin drejtësisë për të justifikuar hajdutërinë qeveritare me koncesionet dhe veprimet fiskale.
Rezulton se në vitin 2017 disa nga këto kompani fiktive, të cilat i shikoni në foto dhe që janë pjesë e atyre të dërguara në prokurori, kanë lëshuar fatura “punimesh” tek Integrated Technology Waste Treatment Fier. Pra, i kanë lëshuar fatura fiktive koncesionarit të inceneratorit Fier.
Me siguri që Administrata Tatimore në vitin 2018 e ka hasur dhe evazionin galopant fiskal në vlerën 2.6 mln dollarë të shoqërisë koncesionare të inceneratorit të Fierit. A është hetuar kjo kompani koncesionare nga Administrata Tatimore? Nese po, a është referuar në prokurori? Nëse jo, pse? Nëse po, pse kanë vazhduar pagesat nga buxheti i shtetit deri në vitin 2020, për një kompani koncesionare që ka bërë evazion fiskal???
Parimi “ca të nënës, e ca të njerkës” nuk mund të funksionojë në një shtet të së drejtës. Ndaj transparenca totale, për çdo koncesion dhe fond publik, është rruga e vetme e duhur për të mbrojtur interesin kombëtar. Koha e drejtësisë që t’i trajtojë njësoj përpara ligjit, si qytetarët dhe pushtetarët.”