PËRPLASJA/ “Déjà vu” te Tatimet, Grigor Joti i InfoSoft çon sërish “në gjyq” tenderin për printerat

Një përplasje është duke ndodhur në Komisionin e Prokurimit Publik mes kompanisë InfoSoft të biznesmenit Grigor Joti dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në lidhje me tenderin për printerat edhe shërbimin e printimit në këtë institucion.

Siç konstatohet dhe nga dokumentet e konsultuara nga Skyweb.al, kompania InsoSoft, kërkon ndarjen e tenderit me lote dhe ndryshimin e disa specifikimeve teknike, duke pretenduar se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është duke shkelur ligjin për prokurimet publike.

InsoSoft pretendon se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, po vepron në formë që nuk mbështetet në dokumentacionin zyrtar të tenderit dhe në faktet reale, duke shtuar se disa prej kritereve të vendosura në dokumentet e tenderit janë formuluar në mënyrë të paqartë dhe u janë dhënë interpretime të njëanshme gjatë procesit të vlerësimit, gjë që i ka penalizuar.

 

 

InsoSoft, akuzon në mënyrë të tërthortë tatimet për favorizim të kompanisë që ka aktualisht tenderin në fjalë.

Përplasja e InsoSoft me Tatimet për të njëjtin tender në 2023

Nuk është hera e parë që kompania Infosoft Systems, përplaset me Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për tenderin e furnizimit me pajisje printerash dhe multifunksionale.

Konfliktet mes kësaj kompanie dhe drejtuesve të institucionit kanë qenë të pranishme edhe një vit më parë, kur përplasja mes Grigor Jotit dhe ish-drejtorit të Tatimeve Ceno Klosi, u zhvillua për të njëjtën kontratë publike.

Infosoft, kishte dorëzuar atëhere një ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), duke denoncuar parregullsi në procedurën e zhvilluar nga Tatimet.

Tenderi, që kishte si objekt furnizimin me pajisje printimi, kishte tërhequr interesin e 7 operatorëve ekonomikë, por pavarësisht kësaj gare të deklaruar, kontrata u dha drejtpërdrejt kompanisë “Kallfa” SHPK, një subjekt që sipas Infosoft nuk plotësonte kriteret bazë të kualifikimit.

Infosoft pretendoi atëhere se oferta fituese ishte anomalisht e ulët, duke rrezikuar realizimin e kontratës dhe duke minuar parimet e konkurrencës së ndershme.

Në përgjigje, Drejtoria e Tatimeve, pretendoi se “Kallfa” kishte dorëzuar dokumente që vërtetonin eksperiencën me kontrata të ngjashme.

Por pas analizës së ofertave dhe përllogaritjeve financiare, KPP konstatoi se vlera prej 25.5 milionë lekësh pa TVSH e paraqitur nga “Kallfa” ishte në mënyrë të qartë nën nivelin e qëndrueshmërisë financiare, duke kërkuar anulimin e vendimit të autoritetit kontraktor.

Megjithatë, pavarësisht konstatimit të shkeljes, KPP vendosi të mos e shpallë fituese Infosoft, por të kthejë procedurën në fazën fillestare, duke detyruar institucionin që të rihapë tenderin nga e para./skyweb.al

 


Shtuar 3.06.2025 12:32