Teksa na ndajnë vetëm 10 ditë nga zgjedhjet brenda PD-së për zgjedhjen e kreut të ri, Lulzim Basha është ndalur në Dibër pasditen e sotme. Gjatë takimit me qytetarët, Basha ka theksuar se fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta është i vetmi fillim i vërtetë i ndryshimit të Shqipërisë.
“Ndiq paranë por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve”, shkruan Basha në Facebook.
Më tej, ai ndalet te dosja Ahmetaj, për të cilën thotë se tregon mënyrën si vepronte qeveria.
Kjo dosje, sipas Bashës, tregoi se duhet një paketë ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK.
Postimi i polotë:
Fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe krimit në nivelet e larta është i vetmi fillim i vërtetë i ndryshimit të Shqipërisë.
Mënyra më e thjeshtë për të hetuar një çështje ku dyshohet se një figurë, në këtë rast politike është përfshirë në afera korruptive, ndiq paranë. Shiko çfarë shpenzon. Shiko pronat e tij dhe familjarëve të tij.
Ndiq paranë por dhe lidhjet me krimin është thelbi i vetting-ut të politikanëve. Vetëm kështu para shqiptarëve do të tregohet kush është i pastër e kush jo.
Dosja e Ahmetajt, ku shfaqej se si qeveria vepronte si organizatë kriminale, tregoi dhe njëherë se duhet një paketë ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK, duke nisur me:
Hetimi i mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike;
Hetimi pa asnjë përjashtim i kontratave koncesionare;
Hetimi i pasurive të çdokujt që është përfshirë në hartimin, miratimin dhe përfitimin e kontratave koncesionare, nga juristi i thjeshtë deri tek kryeministri;
Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare, apo janë investuar kudo nëpër botë, duhet t’u kthehen shqiptarëve.
Ajo që i dhemb më shumë botës së krimit dhe të korruptuarve është sekuestrimi i pasurive.
Aleanca Qytetare për Demokracinë do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet që presin shqiptarët duke mundësuar:
Listat e hapura;
Vetting-un e politikanëve;
Votën e diasporës;
Kufizimin e mandatetev;
Zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, fuqizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike.
Ky është misioni i ri i Partisë tonë! Një parti që reflekton kohën, shoqërinë dhe nevojat e saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që do ndërmarrim për Shqipërinë./Albeu.com/