Ditën e sotme, i gjithë territori, është përfshirë nga moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut. Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas vizitës së tij në burgun e Durrësit ka folur për mediat, ku ka dhënë detaje lidhur me përmbytjet.
Lamallari këtë të martë udhëtoi drejt Durrësit, për të parë nga afër situatën e krijuar në IEVP-në e këtij qyteti pas vërshimit të ujit prej reshjeve intensive të orëve të fundit.
Ministri tha se ka qenë në monitorim të situatës prej orëve të para të ditës së sotme dhe janë marrë masat e nevojshme për normalizimin e gjendjes.
“Janë marrë të gjitha masat e nevojshme me stakimin e energjisë elektrike në katin e parë dhe evakuimin në katet më sipër.
Në mbështetjen tonë kemi edhe pompat me kapacitet të lartë nga Ministria e Mbrojtjes për të larguar ujin”, u shpreh ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, gjithashtu theksoi se situata është nën kontroll si dhe po kryhen furnizimet e nevojshme me mjete logjistike.

