Shkon në dy persona numri i të vdekurve në rajonin e Heraklion si pasojë e përmbytjeve të mëdha që goditën ishullin grek të Kretës, njoftuan sot zjarrfikësit.
Ditën e djeshme një 50-vjeçar është gjetur i pajetë në resortin turistik të Agia Pelagia pasi ka mbetur i bllokuar në makinën e tij për shkak të shirave të rrëmbyeshëm.
Pasagjeri që ndodhej me të, 49 vjeç, u zhduk dhe mëngjesin e sotëm zjarrfikësit e gjetën trupin e tij në det. Sipas transmetuesit shtetëror Ert, të dy ishin nisur për në Heraklion për punë. Që nga mëngjesi i djeshëm, reshje të rrëmbyeshme kanë goditur veri-lindjen e Kretës. Në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet e jashtëzakonshme sot janë mobilizuar edhe zjarrfikësit dhe shërbimet e shpëtimit. Mbrojtja civile i ka kërkuar popullatës të qëndrojë vigjilente në Kretë dhe në ishujt përreth, Rodos, Karpathos, Kastellorizo dhe Kassos. Sot ishullin pritet ta vizitojë zëvendësministri i Brendshëm për të vlerësuar shkallën e dëmit. Për momentin, raporton Ert, në Agia Pelagia janë dëmtuar më shumë se 15 dyqane, kryesisht restorante luksoze.