Përmbytjet në Durrës, Prokuroria sekuestron dokumentet e hidrovorit të ri të Porto Romanos me vlerë 19 mln euro

Prokuroria e Durrësit, e cila ka nisur hetimet prej disa ditësh për të përcaktuar shkaqet e përmbytjeve në qark, ku u shkaktua një viktimë dhe dhjetëra milionë euro dëme materiale, sekuestroi dokumentet që lidhen me ndërtimin e hidrovorit të ri në Port Romano, me vlerë 19 milionë euro.

Sipas grupit të hetimit, është bërë sekuestrimi i dokumenti “Hartim i studimit të projektit për rehabilimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemi i rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit, në kuadër të procesit të rindërtimit me fond limit 87 milionë lekë”.

Gjithashtu, është marrë pranë Bashkisë së Durrësit e gjithë procedura tenderuese për hidrovorin, e po ashtu dokumentet e zbatimit të projektit.

Sipas burimeve të Prokurorisë, ka dyshime se hidrovori nuk ka funksionuar e për pasojë janë shkaktuar edhe përmbytjet.

Tenderi për ndërtimin e hidrovorit të Porto Romanos u fitua nga kompanitë vëllezërit Hysa, 2T dhe Adriatik.

Kompania Adriatik, zotërohet nga babai i Spartak Kovaçit, i cili ka qenë drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës dhe ka dyshime se tenderin për hidrovorin mund të jetë paracaktuar.

Situata me përmbytjet në Durrës vijon të jetë shqetësuese. Punonjësi i ndërmarrjes së komunales Plaz Astrit Hysenaj humnbi jetën, ndërsa 1500 shtëpi e mijëra hektarë tokë mbeten nën pushtetin e ujit.

Prokuroria po heton për akuzat e shpërdorimit të detyrës, përmbytjes së pronës me përmbytje dhe përmbytjes së pronës nga pakujdesia.

Prokuroria e Durrësit nisi hetimet, mes tyre edhe biznesmeni Petrit Kovaçi!

Çfarë përmban dosja?

 

 

Prokuroria e Durrësit, ka nisur hetimet për përmbytjet që kanë prekur disa zona të qytetit dhe vdekjes së një personi, punonjës i Ndërmarrjes Komunale.

Organi i akuzës bën me dije se ka nisur hetimet për tre vepra penale, shpërdorim detyre, shkatërrimi i pronës me përmbytje dhe shkatërrimi i pronës nga pakujdesia.

“Me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shkaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal. Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale“, njoftoi Prokuroria.

Organi i akuzës ka dyshime se situata të jetë shkaktuar për shkak të mosfunksionimit të hidrovorit që ka kushtuar 19 milionë euro.

Tenderi për hidrovorin u fitua nga bashkimi i kompanive 2T, Adriatik dhe Vëllezërit Hysa. Kompania Adriatik zotërohet në masën 50% nga Petrit Kovaçi, babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës.

“Ortaku themelues i shoqërisë është Ardjan Mustafaraj me 100% të kapitalit. Më datë 24.04.1998, u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhurimi i 50% të kuotave të kapitalit të zotëruara nga Ardjan Mustafaraj në favor të Z. Petrit Kovaçi”, thuhet në të dhënat zyrtare në Open Data.

Petrit Kovaçi, ka lidhje familjare me Ceno Klosin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe aktualisht deputet i PS në qarkun Fier.

Ndërkohë, Spartak Kovaçi, është pjesë e rrethit të personave të afërt me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

Ndërsa kompania 2T zotërohet në masën 20% nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, aktualisht kryetar socialist i Bashkisë së Tepelenës dhe më herët drejtues i Gardës së Republikës.

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilirjana Kuçana, kallëzoi në SPAK Bashkinë e Durrësit, ministrinë e Bujqësisë dhe Drejtorinë e Kullimit për “shpërdorim detyre”, pas përmbytjeve.

Ajo u shpreh se kryebashkiakja Emirjana Sako, pas investimit rreth 19 mln euro për hidrovorin, deklaronte se Durrësi nuk do të ketë më probleme me përmbytjet.


Shtuar 13.01.2026 13:30