Një video virale në TikTok, ka rikthyer vëmendjen te festa e quajtur “gender reveal”, ku një çift amerikan zbulon gjininë e fëmijës së tyre të palindur. “Është djalë!”, thonë me entuziazëm.
Por pas disa sekondash, nëna shpërthen në lot.
Ajo përqafohet me partnerin dhe largohet nga festa, e dëshpëruar nga lajmi.
Ky nuk është një rast i izoluar. Në rrjetet sociale po përhapet një trend i ri: videot e zhgënjimit kur prindërit mësojnë se do të kenë djalë, dhe jo vajzë.
Hashtagë si #genderdisappointment dhe #boymom janë bërë të zakonshëm, duke zbuluar një prirje në rritje, veçanërisht në vendet e pasura, për të preferuar vajzat.
Një përmbysje historike
Për mijëra vjet, shumë shoqëri kanë preferuar djemtë, të cilët trashëgonin pasurinë dhe emrin e familjes. Në disa vende, kjo ka çuar në aborte selektive në bazë të gjinisë, me miliona vajza të munguara nga regjistrat zyrtarë, transmeton Skyweb.al.
Por sipas të dhënave të reja të The Economist, që nga viti 2001 janë “shpëtuar” rreth 7 milionë vajza që përndryshe do të ishin abortuar.
Sot, tendenca është në kthim: në Korenë e Jugut, Kinë, Indi dhe shumë vende të tjera në zhvillim, raporti gjinor po i afrohet nivelit natyral.
Në Korenë e Jugut për shembull, në vitet ’90 për çdo 100 vajza lindnin mbi 200 djem në disa familje. Sot raporti është pothuajse i barabartë.
Pse preferohen vajzat?
Në vendet e zhvilluara po shfaqet një prirje e qartë në favor të vajzave. Studime në SHBA, Skandinavi, Japoni dhe vende të tjera tregojnë se prindërit me një vajzë priren të kenë më pak fëmijë të tjerë, ndërsa ata me djem kërkojnë të “balancojnë” me një vajzë.
Në klinikat e fertilitetit në SHBA, shumica e çifteve që zgjedhin gjininë e fëmijës përmes IVF-it, paguajnë mijëra dollarë për të patur një vajzë. Edhe në adoptime, vajzat janë më të kërkuara.
Një studim i vitit 2010 tregoi se familjet amerikane, ishin të gatshme të paguanin deri në 16 mijë dollarë për të adoptuar një vajzë.
Arsyet janë të ndryshme: Vajzat perceptohen si më të lehta për t’u rritur, më të afërta emocionalisht me prindërit, dhe më pak problematike në moshën e adoleshencës.
Në vende si Japonia dhe SHBA, djemtë përballen më shpesh me probleme si kriminalitet, depresion, varësi, dështim akademik dhe izolim social.
Në shumë kultura, djemtë kërkojnë edhe më shumë investime ekonomike për të arritur pavarësi – si blerja e një apartamenti për t’u martuar në Kinë.
A tregon ky trend emancipim?
Disa sociologë paralajmërojnë se ky trend nuk duhet të shihet si përparim. Ndonëse vajzat preferohen më shumë, arsyet shpesh lidhen me role të rrënjosura gjinore: vajzat shihen si më të kujdesshme, më të ndjeshme dhe më të gatshme për të kujdesur për prindërit në pleqëri.
Në vendet me barazi më të madhe gjinore si Suedia apo Danimarka, prindërit përsëri shprehin dëshirën për të patur vajza.
Ndërkohë, djemtë përballen me një krizë të re identiteti dhe sfida sociale që kanë tërhequr vëmendjen e politikave publike.
Në Britani, SHBA dhe Norvegji janë ndërmarrë iniciativa për të ndihmuar djemtë dhe burrat të kapërcejnë hendekun në arsim dhe integrim shoqëror.
Ndërsa teknologjia e lejon gjithnjë e më herët identifikimin e gjinisë së fetusit, dhe IVF-i po bëhet më i aksesueshëm, prirjet kulturore mund të ndikojnë gjithnjë e më shumë në raportin gjinor.
Por përtej statistikave, kjo kthesë tregon shumë për shoqëritë moderne: nga dëshira për kontroll total ndaj prindërimit, deri te mënyra si projektojmë shpresat dhe frikërat tona mbi fëmijët që ende nuk kanë lindur. /Marrë me shkurtime nga The Economist