Në dy muaj, debati publik në Shqipëri ka qenë i fokusuar në një drejtim, arrestimi dhe akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Ka pasur zëra që SPAK-u e ka bërë shumë mirë punën e tij, ka pasur zëra që ka qenë e dirigjuar nga Edi Rama, ka pasur zëra se Erion Veliaj, kishte marrë veten më qafë.
Gjithashtu, ka të pakënaqur, ndër analistët publikë, se Erion Veliaj, nuk duhet të ishte arrestuar për këto akuza që tashmë i ka bërë publike SPAK-u, por duhet t’i faturoheshin inceneratorët, “5D” etj.
Ka zëra që thonë se akuzat janë shumë të rënda dhe Erion Veliaj, rrezikon të qëndrojë shumë vite pas hekurave.
Por përtej tyre, le të shohim se çfarë parashikon Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në lidhje me akuzat që SPAK-u i ka ngritur Erion Veliajt.
Akuza e “Korrupsionit aktiv dhe pasiv i të zgjedhurve vendorë”, neni 260 i Kodit Penal, është nga 4 deri në 12 vite burg.
Duhet të kemi parasysh se në rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj nuk kemi të bëjmë me një, por me të paktën 9 raste, thonë vendimet e njëpasnjëshme të gjykatës.
Më i fundit, ai i Engert Pëllumbit, tregon edhe rastet e ngjashme të kolegëve të Erion Veliajt, kryebashkiakë, të cilët janë dënuar nga GJKKO.
Akuza e dytë është “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, e cila shkon nga 7 deri në 15 vite burg.
Akuza e tretë për “Futjen e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit”, e cila sipas nenit 324/a të Kodit Penal, Erion Veliaj rrezikon 5 deri në 10 vite burg.
Në rast se do të mblidheshin në mënyrë matematikore, Erion Veliajt, në minimum duhet t’i kërkonin nga 16 në 37 vite burg, por nuk bëhet kështu përllogaritja.
Pra, nuk merret mbledhja e minimumit dhe maksimumit në kërkesën që paraqitet nga prokurorët në gjykatë, por merren nenet që kanë, merret vepra. Vitet e tjera të dënimit përthithen nga vepra më e rëndë penale.
Erion Veliaj, rrezikon me këto tri vepra, që në gjykatë me akuzë, të shkojë me kërkesë nga 7 deri në 15 vite burg.
Ky është shpjegimi që japin avokatët dhe juristët në lidhje me tri akuzat, që i janë bërë me dije kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Përtej çdo debati, përtej çdo opinioni dhe përtej çdo diskutimi, Kodi Penal është i ftohtë, i ka të mirëpërcaktuara nenet dhe dënimet dhe kryebashkiaku i Tiranës në minimumin e tij, sipas tre veprave penale që ka konsumuar dhe janë bërë me dije, rrezikon nga 7 deri në 15 vite heqje lirie.
Në rast se do të dënohet nga gjykata, sipas këtyre tre neneve të Kodit Penal, që janë bërë tashmë publike.
Më i rëndi është ai i “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, që ka dhe vitet më të mëdha të dënimit, që mesa duket qartazi do t’i paraqiten në gjykatë kryebashkiakut të Tiranës./ CNA