Ditën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është i pranishëm në ceremoninë përkujtimore të 35-vjetorit të ngjarjes së 2 Prillit 1991, në nderim të katër martirëve të rënë në masakrën e fundit të komunizmit.
Në fjalën e tij, kryedemokrati theksoi se përulen me respekt para veprës së Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmir Kryeziut dhe Besnik Cekës, të cilët u vranë në protestën e 35 viteve më parë kundër Partisë Komuniste.
Të lidhura
None found
“Të dashur miq, 35 vite më parë, vetëm dy ditë pas përfundimit të farsës elektorale, gjimnazistët e Shkodrës ndërprenë mësimin dhe u ulën mbi çantat e tyre në një formë proteste ndër më të qytetëruara, ndër më paqësoret. Ata protestuan në dëshpërim të thellë sepse diktatori i fundit komunist në Europë, partia e tij dhe zgjedhjet pluraliste pas pothuajse gjysmë shekulli, i shndërroi në një farsë zgjedhore. Zhgënjimi i tyre ishte i jashtëzakonshëm dhe po kështu zemërimi dhe dëshpërimi. Ndaj dhe ata dolën në një protestë, u ulën përballë pallatit të krimit, u ulën përballë selisë së partisë së krimit dhe mbi ta u shkrehën breshëri të shumta kallashnikovësh dhe mitrolozësh. Ranë në këtë shesh për të mbetur përjetë të gjallë në zemrat tona, për t’u nderuar gjithmonë nga ata që nderojnë votën e lirë dhe lirinë”, u shpreh Berisha.
Berisha u ndal edhe te situata politike aktuale në vend, teks a e cilësoi kryeministrn Edi Rama si pasardhës të “bllokmenëve hoxhistë”, i cili, sipas tij, ka përdorur pushtetin për të vjedhur dhe plaçkitur shqiptarët dhe për ta shndërruar votën në një farsë elektorale.
“Edi Rama, i cili në shembullin më të zi të baballarëve të vet, ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij. Përdor pushtetin për t’u pasuruar, për të legjitimuar vjedhjen dh plaçkitjen e shqiptarëve dhe shndërruar votën në një farsë të shëmtuar. Në këtë kuadër, kurrë më shumë se sot, nuk është aktuale, më frymëzuese sakrifica e martirëve të 2 prillit, të votës së lirë, ndaj edhe ne jemi të betuar. PD është e betuar se misioni i saj kryesor ëshë rikthimi i votës së lirë të shqiptarët. Kam besim të madh se Shkodra do të përmbushë këtë mision se çdo qytet tjetër“, tha ai.
