Përhapet zjarri në malin e Shashicës, flakët ju afrohen zonave të banuara në Kaninë

Zjarri vijon aktiv në malin e Shashicës, ndërsa flakët vijojnë të përhapen. Situata po përshkalllëzon dhe zjarri po i afrohet më tepër shtëpive të banuara të Kaninës. Raportohet se ndërhyrjet nga ajri janë ndalur për shkak të errësirës. Ndërkohë tymi ka mbuluar në total bregdetin e Vlorës, duke u dukur nga kilometra larg.

Situata paraqitet kritike edhe në Borsh, ku flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë shumë afër zonave të banuara dhe kjo ka ka shkaktuar panik dhe shqetësim tek banorët e zonës. Kjo vatër zjarri është aktive prej 48 orësh, ndërsa ka munguar një reagim nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e flakëve.

Edhe në fshatin Piqeras në Lukovë të Vlorës flakët janë vetëm 150 metra larg banesave dhe objekteve tregtare. Deri më tani nuk ka raportime për dëme. Edhe në këtë fshat ndërhyrja është shumë e vështirë për shkak të terrenit dhe infrastrukturës. Ndërkohë era e fortë dhe bimësia e dendur dhe e thatë po favorizojnë përhapjen e zjarrit.


Shtuar 26.07.2025 22:58