Përgjimi i Veliajt/ Xama: Treguan dirigjimin e mediave dhe sulmin ndaj prokurorëve! Bisedat familjare nuk duheshin publikuar

Gazetarja Ola Xama, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për përgjimet e Veliajt në qeli.

Xama tha se këto përgjime treguan kapjen dhe dirigjimin e mediave, por edhe sulmin brutal ndaj prokurorëve.

Gazetarja shtoi se detaje nga jeta familjare e Veliajt nuk duhet të publikoheshin pasi ato nuk kanë asnjë vlerë për hetimin.

“Përgjimet tregojnë fushatën e dirigjuar nga Veliaj kundër prokurorëve të SPAK. Pamë lajme që nxinin personalisht prokurorët, që bënin punën e tyre. Kur një zyrtar është nën hetim, ka të drejtën e tij të ketë fjalën, por jo në denigrim personal duke iu futur në familje një prokurori. Kjo është shumë e gabuar.

SPAK duhet të thotë, nëse këto media që i janë bindur Veliajt e kanë bindje personale, apo janë paguar nga kompania e vëllait të Veliajt, Gogel. Këtë përgjigje të japë SPAK, që po heton. Një tjetër pikë që del, është çështja se si kërkon të ndikojë në KLP, edhe pse KLP nuk e ka bërë, por shprehet që “tregoji atyre kush i ka emëruar”.

Po ashtu si vë në lëvizje Dhomën Kombëtare të Avokatisë që ta mbështesë dhe të nisë hetim disiplinor për prokurorin e çështjes. Kjo kërkesë është bërë. Ai ankohet ndaj Ulsi Manjës dhe kërkon trajtim preferencial. Ministri në këtë rast ka zbatuar ligjin, mbase sepse çështja ka qenë sensitive.

Ajo që nuk jam dakord, është zbulimi i disa bisedave personale, që SPAK është dinjitoz dhe nuk duhet. Bisedat personale, çfarë ka folur me familjarët, nuk duhet të zbulohen për sa kohë nuk përbën asgjë për faktin penal”, tha Xama.


Shtuar 7.04.2025 23:14

Tags: ,