PËRGJIMET: Deri në 2 milionë lekë për një hipotekë toke dhe prone! Metoda se si merrej ryshfet te Kadastra

Kanë përfunduar hetimet për 17 persona, një pjesë e të cilëve punonjës të Kadastrës, të dyshuar për veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dërguar dosjen me akuza konkrete për 17 persona në GJKKO, 5 prej të cilëve zyrtarë të Kadastrës së Tiranës. Duke iu referuar të dhënave që dalin nga hetimi mësohet se është vërtetuar se në Kadastrën e Tiranës merreshin deri në 2 milionë lekë për të nxjerrë hipotekën e tokës. SPAK-u në mbylljen e hetimeve bën me dije se këto shifra janë të përmendura në përgjime, pasi sipas tyre pretendohet se procedimi penal në ngarkim të këtyre personave ka nisur që në muajin prill të vitit të kaluar. Operacioni për arrestimin e tyre u krye në korrik dhe përgjatë gjithë kësaj kohe të shënjestruarit janë mbajtur nën përgjim dhe vëzhgim nga ana e Prokurorisë.

HETIMI

Operacioni për arrestimin e tyre u realizua më 26 korrik. U tha se është arritur në përfundimin se shtetasit Besnik Hyka, Ilir Ahmetaj, Gëzim Bazha, Gazmend Canaj, Admir Burri, Neritan Bablusha, Panol At Nikolla, Ivi Cico, Fjoralb Demiraj, Shpëtim Bakia dhe Bedri Halili janë përfshirë në veprime të kundërligjshme që konsistojnë kryesisht në kryerjen e disa veprave penale që sipas hetimit rezultojnë se i kanë kryer më shumë se njëherë dhe ka pas raste deri në 6 herë.

SPAK-u njofton se ka administruar shumë prova gjatë hetimit, si përgjimet telefonike, të dhënat e nxjerra nga ekzaminimi i aparateve celularë të të pandehurve, praktikat e administruara në ASHK dhe akteve të tjera shkresore. Nga këto provohet se i pandehuri Admir Burri në bashkëpunim me të pandehurit Gazmend Canaj dhe Neritan Bablusha në disa raste kanë ushtruar ndikim të paligjshëm te punonjësit shtetëror dhe në disa raste kanë ofruar përfitim monetar për të kryer ose mos kryer veprime në lidhje me aplikime/kërkesa të bëra nga shtetas të ndryshëm, për marrjen e shërbimeve të ndryshme kadastrale.

Nga hetimi rezulton që veprimtaria e kundërligjshme e të pandehurve Gazmend Canaj, Admir Burri, Neritan Bablusha, Ivi Cico, Fjoralb Demiraj është e shtrirë në kohë dhe ka vijuar në mënyrë të pa ndërprerë, duke u përfshirë në disa episode të kundërligjshme që lidhen kryesisht me ndërmjetësimin e tyre me qytetarë të ndryshëm dhe punonjës të ASHK-së, sikurse është i pandehuri Panol At Nikolla, me detyrë zëvendësdrejtor i Drejtorisë Vendore të ASHK-së Tirana Rurale 2, për përshpejtimin e procedurave të marrjes së shërbimeve kadastrale dhe pajisjes së tyre me dokumente pronësie, kundrejt ndërveprimit korruptiv./Panorama/

Shtuar 28.01.2022 14:21