Mbrëmjen e djeshme, një aksident tragjik u mori jetën dy motrave Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 20 dhe 22-vjeç, me origjinë nga Delvina.
Ato po udhëtonin nga Saranda në drejtim të Delvinës, kur në segmentin rrugor të njohur si “Pularia”, makina e tyre u përplas me një tjetër automjet.
Goditja ka rezultuar fatale, duke i marrë jetën në vend të dy motrave të reja.
E plagosur rëndë ka mbetur pasagjerja tjetër në automjet, Antonela Zhupa, 24-vjeçe, e cila aktualisht ndodhet në spitalin e Sarandës nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Policia po heton shkaqet e përplasjes, ndërsa pista kryesore lidhet me shpejtësinë dhe mungesën e kujdesit në qarkullim.
Ndërkohë, një tjetër aksident i rëndë u regjistrua po pasditen e së dielës në rrugën nacionale Fier–Kuçovë, pranë fshatit Çunat.
Një automjet tip “Benz” përplasi nga pas një motoçikletë, ku udhëtonin babë e bijë. Përplasja i la të dy të plagosur rëndë, duke kërkuar transportin e menjëhershëm drejt spitalit të Lushnjës.
Burime nga mjekët bëjnë me dije se ata ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, nën kujdes intensiv.
Pamje nga rruga Fier–Kuçovë, dëshmi të qytetarëve të pranishëm, autoambulanca që largohen drejt spitalit.
Në të dyja rastet, policia rrugore dhe shërbimet e emergjencës reaguan menjëherë, duke ofruar ndihmën e parë dhe duke marrë në pyetje dëshmitarët.
Hetimet për rrethanat e sakta të ngjarjeve vazhdojnë, ndërsa autoritetet theksojnë edhe një herë domosdoshmërinë e respektimit të rregullave të qarkullimit.
Shpejtësia, pakujdesia dhe parakalimet e gabuara mbeten faktorët kryesorë që çojnë drejt ngjarjeve të tilla tragjike.