Edhe pse dita e sotme ka nisur me 2 gradë më pak në territorin shqiptar dhe i ftohti duket ndjeshëm, moti do të jetë i kthjellët dhe dielli do të jetë i pranishëm gjatë gjithë ditës.
Vonë në mbrëmje, zonat lindore dhe juglindore të vendit do të përfshihen nga vranësirat.
Në pjesën e parë të ditës së nesërme vranësirat do të jenë të dukshme në territor. Vonë pasdite kemi ardhjen e reshjeve, fillimisht në Veri-Perëndim të vendit dhe më pas gjatë natës do të përfshihet i gjithë territori shqiptarë.
Këto reshje do të vijojnë edhe ditën e premte në të gjithë territorin. Bëhet fjalë për reshje shiu në zonat e ulëta dhe bregdetare, ndërsa dëborë në zonat malore.
Vonë në mbrëmje në ditën e premte dhe orët e para të ditës së shtunë, priten reshje dëbore edhe në zonat e ulëta dhe bregdetare. Kryesisht zona e Shkodrës dhe një pjesë e Lezhës.
Përsa i përket temperaturave, e premtja sjell një rënie të theksuar në mesditë me 4-5°C më pak. Kjo rënie e theksuar temperaturash vijon edhe mëngjesin dhe mesditën e së shtunës.
Të premten pasdite presim depërtimin e masave ajrore shumë të ftohta nga rrethi polar drejt territorit shqiptar. Një valë e acartë e cila do të zgjasë 3-4 ditë duke sjellë edhe temperatura -10°C, -12°C deri ditën e martë, raporton metrologia Tanja Porja./albeu.com