Teksa pushimeve verore po u vjen fundi, kancelaritë kanë nisur furnizimet për mjetet shkollore, ku pritet të shiten me të njëjtat çmime të përafërta si një vit më parë.
“Paketat shkojnë në varësi të kërkesës, por një paketë minimale kushton 3000 lek të reja, që përfshin mjetet bazë, lapsa, lapsa me ngjyrë, stilolapsa, kuleta, set vizoresh, fletore. Një nxënësi i duhen dy tre fletore për lëndë minimumi. Këto nga eksperienca i marrin çdo vit të reja”, shprehet Mirela Zefi, punonjëse në një kancelari shkollore.
Mirëpo, prindërit nuk shfaqin nxitim në përzgjedhjen e paketës shkollore për fëmijët e tyre, duke blerë si fillim gjëra bazike, e më tej me nisjen e shkollës plotësojnë edhe listën përfundimtare, në bazë të kërkesave të mësuesve dhe dëshirave të nxënësve.
“Çfarë ndodh? Nga eksperienca fëmijët shkojnë në shkollë dhe në klasë shikojnë që një fëmijë tjetër, një shok apo shoqe kanë diçka që ata se kanë e atyre ju pëlqen, e do shkojnë në shtëpi e do ua kërkojnë “dua një kuletë si ajo!”. Pra megjithëse prindërit marrin masa që i blejnë mjetet para fillimit të vitit shkollor, blerjet vazhdojnë edhe pas me të njëjtin ritëm… Fëmijët e vegjël kanë preferenca që ti marrin me personazhe, mjete të animuara”, tha Zefi.
Vetë prindërit shprehen se janë të detyruar të përmbushin preferencat e fëmijëve, sepse ndodh të ndikohen nga zgjedhjet e bashkëmoshatarëve, ndërsa tregojnë se caktojnë një buxhet specifik…
Do i blini çfarë ka nevojë apo do plotësoni edhe dëshirat e fëmijës?
“Po edhe dëshirat, se ky është nxënës ekselent. Pastaj çdo gjë me llogari. Kush është ekonomiqar i bën të gjitha, kaq duhen për qejf, kjo për libra e për shkollë. Megjithëse është cikël i ulët ende, duket sikur është më i rritur dhe vetë fëmija ka kërkesa më shumë”, shprehet një prind.