Përfundon takimi mes Ministrave të Jashtëm, Hasani: Duhet ngushtuar hendeku në zhvillimin ekonomik mes BE dhe Ballkanit Perëndimor

Takimi mes ministrave për Punët e Jashtme që u zhvillua sot në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit, ka përfunduar.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, në konferën e përbashkët për media me Komisionerin e BE Varhelyi dhe Ministren e Jashtme Gjermane, Baerbock, është shprehur se ky takim është i fundit para atij të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor, ndërsa theksoi se u zhvillua në një moment të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe Europës për shkak të situatës gjeopolitike.

Hasani gjithashtu tha se duhet investuar për ngushtimin e hendekut në zhvillimin ekonomik mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

“Ky ishte ministeriali i fundit në serinë e tre ministerialeve që i paraprijnë Samitit në Tiranë. Mirënjohje të gjithë kolegëve për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre. Këto takime, ngjarje të rëndësishme që zhvillohen për herë të parë në një vend të rajonit tonë.

Ato zhvillohen në një moment veçanërisht të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën.

Situata aktuale gjeopolitike ka prodhuar shumë sfida që kërkojnë vëmendje e adresim.

Kërkojnë po ashtu angazhim të fortë, jo vetëm të rajonit, por edhe të BE. Krahas sfidave, kjo situatë ka prodhuar edhe një vullnet të ri politik. Ka përforcuar angazhimin e BE-së me rajonin tonë. Ky vullnet shprehet edhe në këto takime, sigurisht edhe Samiti pas pak ditësh. Samiti dhe tri Ministerialet, janë një mundësi për të diskutuar se çfarë forme mund të marrë ky angazhim.

Çfarë forme mund të marrë mbështetja e BE për rajonin në kushtet aktuale.

Procesi i Berlinit mbështetet në 3 shtylla: 1. Perspektiva evropiane; 2. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve; 3. Përmirësimi i performancës ekonomike të rajonit. Samiti i këtij viti do të fokusohet kryesisht në shtyllën e tretë. Në tryezë janë disa propozime që do të përmirësojnë ndjeshëm zhvillimin ekonomik të rajonit

Propozimet janë plotësisht në linjë me Planin e Rritjes të propozuar nga Von Der Leyen.

Duhet investuar për ngushtimin e hendekut në zhvillimin ekonomik që ekziston mes Ballkanit Perëndimor dhe BE. Kjo ndihmon në përgatitjen e ekonomive tona për integrim në tregun e përbashkët të BE.

Energjia dhe transporti, janë dy sektorë kyç në axhendën e këtij viti të Procesit të Berlinit. Përtej këtyre dy fushave, kemi punuar për nisma konkrete edhe në sektorë të tjerë. Këto nisma na ndihmojnë të integrohemi në disa politika të tregut të përbashkët të BE. Qëllimi është që rigjallërimi i procesit të integrimit të konkretizohet me masa që janë të prekshme nga qytetarët”, deklaroi ministri Hasani.