Përfundon mbledhja e Kryesisë së PS, ja kush janë kandidatët socialistë për 6 bashkitë që shkojnë në zgjedhje

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Partisë Socialiste janë zyrtarizuar emrat e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të vendit.

Kandidati për kryetar bashkie në Tepelenë do të jetë Gramoz Sako, në Berat do jetë Ervin Ceca, në Vlorë PS i ka besuar garën një gruaje, pasi ka zyrtarizuar kandidaturën e e Brunilda Mersinit, e cila është deputete aktuale e PS-së në këtë qark.

Ndërkohë, kandidati për kryetar bashkie në Cërrik do jetë Florenc Doka, i cili ka punuar në bashkinë e Cërrikut për një kohë të gjatë, ndërsa kandidati për kryetar bashkie në Mat do të jetë Altin Bojni.

Rikujtojmë se Bashkia e 6-të që do të shkojë në zgjedhje është ajo e Tiranës, ku tashmë është zyrtarizuar prej disa javësh kandidatura e Ogerta Manastirliut.

Kreu politik i PS për qarkun Vlorë, deputeti Bledi Çuçi, tha se zgjodhën një kandidat që e njihte menaxhimin e qytetit dhe problematikat atje.

“Menduam të kishim një kandidat për pjesën e mbetur të mandatit që të ishe me eksperiencë menaxheriale, që e njihte qytetin, por edhe për të mbushur vakancën që la me dorëheqjen e tij ish-kryebashkiaku. Kandidati duhet të plotësonte kushtet dhe ndaj zgjodhëm si emër deputeten aktuale Brunilda Mersinin. Një ish-drejtuese për kaq vite në Bashkinë e Vlorës, me eksperiencë të gjatë në menaxhimin e punëve atje dhe e duhur për të vazhduar punën më tej”, tha Çuçi.


Shtuar 7.10.2025 18:46