Pas më shumë se një ore, ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurimit, në Presidencë.
Në takim, i pranishëm ka qenë kryeministri Edi Rama, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Kreu i SHISH, Oljan Kanushi, ministrat si dhe Kreu i Shtetit, Bajram Begaj.
Pas mbledhjes, kryeministri Rama është parë të largohet nga Presidenca me eskortë.
I vetmi pjesëmarrës nga opozita ishte deputeti i PD, Ferdinand Xhaferraj, anëtar i Komisionit të Sigurisë.
Në mbledhjen u analizua gjendja e sigurisë në vend pas sulmeve kibernetike të Iranit, si dhe u vendosën prioritetet për vitin 2023.
Presidenti Begaj, gjatë fjalës së tij, e ka konsideruar 2022-shin, një vit sfidues dhe të vështirë sa i përket sigurisë kombëtare.
Begaj theksoi gjithashtu se “u ballafaquam me një situatë tepër delikate në veri të Kosovës, e cila nuk kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal”, por shtoi se “Shqipëria është në krah të Kosovës dhe vlerëson ruajtjen e paprekshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, vlerëson rolin dhe kontributin e misionit KFOR të NATOs në garantimin e paqes dhe sigurisë, respekton parimet e fqinjësisë së mirë, si dhe mbështet dhe inkurajon dialogun Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA, për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, që do të çojë në njohje të ndërsjelltë.”