Përfaqësuesi i Francës në Eurovision 2024, Slimane performon sonte në Festivalin e Këngës në RTSH

Përfaqësuesi i Francës në Eurovisionin e vitit 2024, Slimane do të jetë i ftuari special në natën e parë të Festivalit të Këngës në RTSH.

Këtë e kanë bërë të ditur vetë organizatorët përmes një postimi në Instagram.

Slimane, përfaqësoi Francën me këngën “Mon Amour”, duke dhuruar një performancë tejet emocionuese dhe rrëqethëse përpara publikut të festivalit evropian.

Ishte një pjesë e performancës së tij që bëri të gjithë publikun të heshtë për ta dëgjuar vokalin e tij të pa shembullt.

Sonte, ai do të dhurojë të njëjtat emocione për publikun shqiptar, pasi do të performojë në festivalin e RTSH-së.

“Slimane i ftuar special në natën e parë të Fest 63 më 19 Dhjetor. Përfaqësoi Francën në Eurovizion 2024 me këngën ‘Mon Amour’. Kënga më e klikuar franceze në botë ku në vetëm 24 orë arriti mbi 2 milionë klikime në Spotify”, ka shkruar stafi i RTSH-së.

Sonte nis edhe zyrtarisht Festivali i Këngës në RTSH, “Fest 63”, festivali njëherësh që zgjedh përfaqësuesin e Shqipërisë për Eurovision Song Contest 2025.

Gjithsej 30 artistë do të marrin pjesë në edicionin e sivjetmë që do të zgjasë për katër net radhazi.

Fituesit shpallen të dielën e 22 dhjetorit, njëri si fitues i Festivalit të Këngës dhe tjetri si përfaqësues i Shqipërisë për festivalin madhështor evropian, Eurovision.


Shtuar 19.12.2024 18:28