Perëndimit po i “skadojnë” mundësitë për të ndëshkuar Putinin

Nga Stephen Collinson, CNN

Zemërimi i Perëndimit, vendosja e sanksioneve shtesë dhe armët që iu premtuan Ukrainës erdhën shumë vonë për të shpëtuar një burrë që u gjet i vrarë pranë biçikletës së tij jashtë Kievit. Ai ishte një nga shumë civilët e pafajshëm, fati i të cilëve u vendos nga pushtimi barbar i Presidentit Vladimir Putin.

Imazhet e trupave të vrarë teksa trupat ruse po tërhiqen nga Kievi po krahasohen me mizoritë e nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Ky është çmimi i përgjakshëm që po paguajnë civilët ukrainas për fiksimin e Putinit.

Bashkimi Europian dhe Ukraina nisën një hetim të ri mbi krimet e mundshme të luftës në periferi të Kievit, Bucha, ku trupat u gjetën të shpërndara në rrugë. Anëtarët e Kongresit i bënë thirrje presidentit Joe Biden të përshpejtojë dërgesën e armëve në Ukrainë.

Bashkimi Europian po përballet me presion në rritje për të pranuar atë që do të ishte një goditje e dhimbshme ekonomike duke ndërprerë totalisht eksportet ruse të naftës dhe qymyrit. Biden bëri thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë dhe hapjen e një gjyqi për krimet e luftës, raporton abcnews.al.

Por tragjedia e tmerrshme që po zbulohet në Ukrainë tregon se të gjitha masat që Perëndimi po përdor për të ndëshkuar Moskën dhe për të ndikuar në rrjedhën afatgjatë të luftës nuk ndihmuan për të shpëtuar civilët.

Dhe lind pyetja nëse ndonjë nga masat e marra do të ndikojë tek lideri i pamëshirshëm rus.

Perëndimi nuk ka gjasa të ndalojë fushatën e mizorive të Putinit në një afat të shkurtër – veçanërisht pasi udhëheqësi rus ka dëshmuar se është imun ndaj zemërimit moral. Dhe duke pasur parasysh shkallën e masakrës, duke përfshirë sulmet në blloqe apartamentesh, spitale dhe strehimore për bomba, ai ka kaluar çdo limit të mundshëm.

Por Perëndimi pritet të miratojë masa të tjera pas vrasjes masive të civilëve në Bucha. Ukraina paralajmëroi të hënën se skena të tilla mund të jenë “maja e ajsbergut” dhe presidenti Volodymyr Zelensky tha se tani po zbulohen mizoritë më të këqija.

“Tashmë ka informacione se numri i viktimave mund të jetë edhe më i lartë në Borodyanka dhe disa qytete të tjera të çliruara”, tha Zelensky.

“Në shumë fshatra të rretheve të çliruara të rajoneve të Kievit, Chernihiv dhe Sumy, pushtuesit kanë kryer masakra që vendasit nuk i kishin parë as gjatë pushtimit nazist 80 vite më parë.”

Putini i njeh kufijtë e Perëndimit

Bota ka miratuar sanksionet më të ashpra kundër Rusisë, statusi i ri i Rusisë si një pari globale dhe izolimi i saj kulturor, diplomatik dhe ekonomik nuk e kanë ndalur ende Putinin. Duke pasur parasysh pozicionin politik në dukje të sigurt të Putinit, ai nuk është fare i shqetësuar për etiketimin si kriminel lufte dhe shanset që ai të dalë në gjyq janë të pakta duke përjashtuar ndryshimet marramendëse politike në Rusi.

I armatosur me stokun më të madh në botë të kokave bërthamore, Putin e kupton se Perëndimi nuk është i gatshëm të ndërhyjë në Ukrainë dhe të rrezikojë një përplasje katastrofike me Rusinë me masa si një zonë ndalim-fluturimi për të shpëtuar civilët.

Me veprimet e tij, ai po i tregon diktatorëve të tjerë të ndjekin të njejtin shembull.

Ndërhyrja e Perëndimit për të shpëtuar civilët në vende si Kosova apo Libia janë të ndaluara në Ukrainë, për shkak të fuqisë së arsenalit të liderit rus dhe kërcënimeve që në fillim të luftës.

80 vite pasi diktatorët si Adolf Hitleri në Gjermani apo Jozef Stalini në Bashkimin Sovjetik përhapën terror brenda dhe jashtë vendeve të tyre, Putini po krijon një skenë të re të tmerrshme për shekullin e 21-të – atë të një diktatori që nuk mund të ndalohet.

Sanksionet ndaj ekonomisë ruse dhe oligarkëve mund të kenë një ndikim në afat të gjatë. Por ata kanë dështuar si një mjet parandalues. Nga jashtë, lufta shihet si një fatkeqësi ushtarake, diplomatike dhe ekonomike për Rusinë pas dështimit të saj për të marrë në kontroll objektivat kryesore. Por gjithsesi mund të quhet një sukses për Putinin nëse qëllimi i tij është thjesht të shkatërrojë Ukrainën dhe të krijojë një paradë fitoreje për mediat shtetërore ruse, raporton abcnews.al.

Shtëpia e Bardhë reagoi ndaj vrasjes së civilëve duke premtuar se do të përshpejtojë ritmin e ndihmës ushtarake, humanitare dhe ekonomike për Kievin. Një ndihmë e tillë mund të lehtësojë sulmet ndaj civilëve në javët dhe muajt e ardhshëm. Por Putini ka rrethuar dhe bombarduar qytetet e Ukrainës prej javësh.

Miliona njerëz tashmë janë larguar nga Ukraina.

Një gjyq i stilit të Nurembergut?

Ish-kryeministri ukrainas Arseniy Yatsenyuk tha se pushtimi i Ukrainës ishte fatkeqësia më e madhe në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe meritonte një sistem drejtësie të ngjashëm me gjyqet e Nurembergut të kriminelëve nazistë.

“Duhet të përgatitemi tani. Duhet të hapim urgjentisht një grup të përbashkët hetimor në mënyrë që të jemi të përgatitur për të dënuar përgjegjësit. Por natyra e sistemit ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë do të ndërlikonte krijimin e një sistemi që gëzonte legjitimitet global.

Megjithatë, vështirësia për të sjellë Putinin para drejtësisë nuk do të thotë se rusët nuk mund të gjykohen, megjithëse Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë nuk kryen gjykime në mungesë. Një goditje e re potencialisht e rëndësishme kundër Rusisë mund të vijë nga Europa ndërsa Bashkimi Europian miraton vendosjen e sanksioneve të reja.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbështetur ndalimin e eksporteve ruse të qymyrit dhe naftës në BE gjatë kësaj jave. Por nuk dihet ende nëse fuqitë e tjera të mëdha, përfshirë Gjermaninë, do të miratonin masa të tilla, duke pasur parasysh rritjen e inflacionit.

Por lind pyetja: a është Putin i prekshëm ndaj presionit dhe sa civilë të tjerë ukrainas do të vdesin derisa ai të jetë në pushtet?