Vendet e perëndimit janë në luftë me kohën për të evakuar sa më shumë përsona nga Afganistani i cili ka rënë në duart e talebanëve.
Pas kërcënimeve nga këta të fundit se nëse nuk respektohet data 31 gusht që vendet perëndimore të largohen plotësisht nga vendi, ata do të ndëryjnë dhe pas kësaj date nuk do të lejojnë askënd të largohet.
Misionet e huaja janë në garë me kohën për t’u larguar nga Afganistani. Me mijëra njerëz evakuohen çdo ditë nga aeroporti i Kabulit, teksa afrohet afati i fundit i 31 gushtit.
Mbi 10 mijë të tjerë janë në pritje të një bilete shpëtimi. Sipas të dhënave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në total janë larguar mbi 87 mijë njerëz nga shteti që prej ditësh gjendet nën kontrollin e talebanëve.
Presidenti Joe Biden ka pranuar respektimin e afatit, por Gjermania kërkon të ndihmojë afganët që dëshirojnë të ikin nga vendi edhe pas 31 gushtit.
Kancelarja Angela Merkel, shtriu dorën e negociatave ndaj talebanëve.
“Synimi ynë duhet të jetë të ruajmë sa më shumë nga ajo që është arritur në Afganistan në20 vitet e fundit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të adresojë gjithashtu edhe çështjen me talebanët.”
Ndërkaq përndjekja e atyre që punuan me misionet perëndimore vijon. Talebanët janë vënë në ndjekje të 250 grave afgane që kanë qenë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe familjarëve të tyre. Sipas mediave amerikane, militantët po kërkojnë derë më derë.
Ndërsa BBC raporton se talebanët po dhunojnë personat që po i drejtohen aeroportit të Kabulit. Grupimi në kontroll të Afganistanit njoftoi se ka ndaluar transferimin e dollarëve amerikanë dhe artefakteve lokale jashtë vendit. Grave u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi pasi ushtarët talebanë nuk janë mësuar t’i respektojnë ato.
Zabiullah Mujahid, zëdhënës i talebanëve: “Duam të sigurohemi që gratë të mos trajtohen pa respekt apo të lëndohen. Kështu që u bëjmë thirrje të qëndrojnë në shtëpi derisa të garantohet siguria që ato të punojnë.”
Për situatën e tensionuar në Afganistan, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Kinës, Xi Jinping, zhvilluan një telefonatë. Liderët u dakordësuan që të respektonin pavarësinë dhe integritetin territorial të këtij shteti./albeu.com