Përballja me Kroacinë/ Armando Duka: Optimistë për fitoren, tifozët kanë treguar sjellje evropiane

Në një prononcim për median, në pragsfidën mes Shqipërisë dhe Kraocisë, që do të nisë në orën 15:00’, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, tha sot se është optimist që kuqezinjtë mund të dalin fitues nga ky duel i dytë në grupin B të europianit “Gjermani 2024”.

Ai vlerësoi gjithashtu, dhe rolin e tifozerisë, e cila ka sipas tij ka qenë shembullore në mbështetjen e kombëtares.

“Çdo ndeshje ka emocionet e veta. Padyshim që kam emocione edhe sot, ashtu siç kisha edhe në sfidën ndaj Italisë. Padyshim që kërkohet të fitohen të gjitha ndeshjet, ashtu siç normalisht kërkohet grintë më e madhe dhe lojë më e bukur. Ne për 30 minuta ja falëm fushën Italisë, por është e kuptuehsme, pasi presioni ndaj Italisë është i madh”, tha Duka.

“Dje kam biseduar me çunat, sot nuk i kam folur. Ajo që u thashë ishte se s’kemi ardhur të jemi kampionë evrope, por të dalim me kokën lart nga ky kompeticion. Uroj që skuadra të luaj me grintë dhe me të gjithë fuqinë e saj, duke eliminuar atë presionin që patëm në 30 minutat e para me Italinë. Këtë i thashë çunave, unë jam krenar dhe të gjithë shqiptarët janë krenarë për ju. Të gjithë shqiptarët ju shohin si heronj. Jam pozitiv sot. Kam ndjenjë pozitive. Padyshim Kroacia është një skuadër me histori, me lojtarë që luajnë në klube të mëdha”, tha Duka.

Lidhur me konfirmimin e mbrojtësit Hysaj në formacion, Duka tha se ka kaluar shumë trajnerë dhe asnjëherë nuk ka biseduar me ta për çështje të formacionit.

“Askush s’ka të drejtë që për një gabim, ose atë që mund të quhet gabim, ta largojmë. Ai është Elsi, dhe presim që të na çojë më lart”, tha Duka.

“Komplimentin më të madh e kam për tifozët shqiptarë, që kanë mbështetur skuadrën dhe kanë treguar sjellje më evropiane se evropianët. Më bën krenar kjo gjë. Uroj rezultat pozitiv sot që të rrimë më gjatë në Evropian”, shprehet Duka.

Shqipëria dhe Kroacia, do të përballen sot në orën 15:00 në “Volksparkstadion” të Hamburgut, në një ndeshje të rëndësishme të vlefshme për Grupin B të EURO 2024.

Kuqezinjtë e Sylvinhos zbresin në fushë pas disfatës me Italinë, teksa tashmë luajnë për çdo gjë.

FORMACIONET ZYRTARE:

KROACIA: Livakovic, Juranovic, Sutalo, Gvardiol, Perisic, Modric, Brozovic, Kovacic, Majer, Petkovic, Kramaric.

Trajner: Zlatko Dalic

SHQIPËRIA: Strakosha, Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj, Ramadani, Asllani, Laçi, Bajrami, Asani, Manaj.

Trajner: Sylvinho

Klasifikimi dhe kalendari i grupit B

Klasifikimi:
Spanja 3 pikë
Italia 3 pikë
Shqipëria 0 pikë
Kroacia 0 pikë

Ndeshjet e para:
Itali-Shqipëri 2-1
Spanjë-Kroaci 3-0

Ndeshjet  e dyta:
Kroaci-Shqipëri ora 15:00
Itali- Spanjë të Enjte 21:00

Ndeshjet e treta:
Shqipëri-Spanjë
Kroaci-Itali


Shtuar 19.06.2024 15:06