Për herë të parë, Yuri Kim zbulon prapaskenat e shpalljes së Berishës “non grata”: Pse habiteni?!

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar për herë të parë duke zbuluar detaje dhe prapaskena nga shpallja e Sali Berishës “non grata” nga Amerikë.

A ka prova Amerika për shpalljen e Berishës “non-grata”?

Gjatë një interviste për VOA, Yuri Kim foli me bindje për një proces të gjatë hetimi dhe provash ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha duke shtuar se “shqiptarët që u habitën nga ky vendim, nuk janë të sinqertë.

PJESË NGA INTERVISTA:

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha gjithnjë ka këmbëngulur në faktin se për të nuk ka prova, se vendimi është marrë ga informacionet e OJQ të sponsorizuara nga Soros, dhe se sipas tij edhe zoti Basha ju ka kërkuar ju prova? A i keni dhënë zotit Basha, informacione, përtej atij formulimi publik të Sekretarit Blinken?

Ambasadorja Kim: Do të thoja që këto histori konspiracioni janë të pavend për një vend aleat në NATO dhe aspirant për në BE. Ditët e teorive të konspiracionit duhet t’i përkasin të shkuarës. Tani, e gjitha ka të bëjë me faktet. Dhe do t’ju them që procesi për përcaktimin e individëve, sidomos individëve të rëndësishëm, është një proces shumë i gjatë dhe shumë tërësor. Dhe, në kohën kur një vendim shkon përpara Sekretarit të Shtetit, pra që të nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit, ai ka kaluar nëpër shumë e shumë nivele shqyrtimi. Mendoj se është e drejtë të thuhet që në shumicën e rasteve, në të gjitha rastet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë, po flas për të gjithë botën, në momentin kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Dhe mendoj se ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë.

Zëri i Amerikës: A ju ka kërkuar informacion Zoti Basha?

Ambasadorja Kim: Ka kërkuar publikisht. E kemi dëgjuar. Kemi parë edhe deklaratat nga të tjerë. Kur vjen fjala tek Qeveria e SHBA, për këto përcaktime ekziston një proces.

Zëri i Amerikës: Pse masa ndaj zotit Berisha u mor tani, kur ai ka 8 vjet që nuk është në pushtet?

Ambasadorja Kim: Shkuarja deri në fund të këtyre proceseve kërkon një kohë të gjatë. Përsëris, dua të sqaroj që nuk është pjesë e ndonjë teorie të çmendur konspirative që vë në shënjestër politikën e brendshme këtu. Uashingtoni nuk merret me diçka të tillë.

Zëri i Amerikës: Sanksionet e qeverisë amerikane ndaj zyrtarëve apo ish zyrtarëve të lartë, janë zgjedhur si një instrument për të luftuar korrupsionin në një vend të caktuar. Megjithatë, a rrezikohet që efikasiteti i një mase të tillë të minohet nëse vetë autoritetet lokale të drejtësise, nuk e ndjekin më pas, nuk e shoqërojnë me ndonjë hetim?

Ambasadorja Kim: Pavarësisht nëse këto vendime janë për në Shqipëri apo ndokund tjetër në botë, siç e thashë më herët, në momentin që këto vendime çertifikohen nga Sekretari i Shtetit dhe shpallen nga Sekretari i Shtetit, ato janë shumë të dukshme dhe do të ishte me vend që autoritetet vendase të shikonin masat. /albeu.com/

 


Shtuar 16.09.2021 18:30