Ditën e sotme, pensionistët dhe Lëvizja Bashkë`, kanë dalë sërish para Kryeministrisë për të kërkuar rritjen e pensioneve.
Ata thanë se pensioni nuk u del as për ilaçe e ushqimet e shportës, duke akuzuar qeverinë për korrupsion e vjedhje.
Me pankarta si “Punë një jetë, pensioni në dietë”, apo “Hiqni dorë nga korrupsioni të na rritet pensioni”, pensionistët kanë bërë thirrje për t’u bashkuar.
“Me 200 mijë lekë çfarë do bëjmë. Pensionistët janë të parët në votime dhe të parët në detyrime. Ku është Kontrolli i Shtetit, ku janë sindikatat që nuk ndjehen fare. Shtresa e tretë ka vuajtur në kohën e Enverit dhe të Hitlerit. Na iku Enveri, erdhi Hitleri. Ku jeni o shqiptarë, fëmijët tanë të vijnë të votojnë për ta hedhur këtë”, tha një e moshuar.
“Pensioni social 500 euro. Ky na do vetëm votën. Vërtetë na ka gjunjëzuar nga ana ekonomike, na ka bërë me oksigjen, por ama ditën e votimit ta çojmë këtë në oksigjen, t’ia heqim tubat këtij. Më keq se sot nuk do bëhemi. Të mblidhemi dhe ta rrëzojmë me votën”, u shpreh një tjetër pensionist.
“Më keq se sot nuk do të bëhemi. Të mblidhemi dhe ta rrëzojmë me votë”, tha një pensionist.
“Edi Rama na ka mashtruar që në 2013. Do bëj shëndetësinë falas, do bëj shumë gjëra falas, deri tani s’ka bërë gjë. Unë për mendimin tim duhet t’i themi Edi Ramës të mos tallet me ne”, tha një tjetër pensionit.
Ndërsa një i moshuar u shpreh: “Kërkojmë të drejtat tona dhe nuk ka bërë vaki që të mblidhen kështu pensionistët. Sa më shumë koha të kalojë aq më shumë të do të intensifikohet protesta së bashku me “Lëvizjen Bashkë”.