Pensionet private, numri i anëtarëve arrin në pothuajse 36 mijë

Numri i anëtarëve në fondet private të pensioneve arriti në pothuajse 36 mijë në mesin e këtij viti.

Të dhënat e nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri total i anëtarëve është rritur me 6.3% që nga fillimi i vitit dhe 10.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky treg në Shqipëri po merr një zhvillim të mirëfilltë vetëm në dekadën e fundit, kur numri i kontribuesve është rritur me afërsisht pesë herë.

Megjithatë, numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat është afërsisht sa 2.8% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend, çka tregon një nivel ende shumë të ulët të mbulimit me fonde private të pensioneve.

Fondet private të pensioneve janë promovuar kryesisht nga punëdhënësit, në formën e skemave profesionale si benefite për punonjësit, por në vitet e fundit ka një shtim të interesit edhe nga kontribues të pavarur individualë. Kjo tregon një rritje të ndërgjegjësimit rreth nevojës për të krijuar një mbrojtje financiare në pleqëri dhe për të ulur varësinë nga skema e detyreshme bazë e sigurimeve shoqërore.

Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit qershor arriti në 5.13 miliardë Lekë ose rreth 44 milionë Euro, në rritje me 16.35% që nga fillimi i vitit dhe me 29.2% krahasuar me një vit më parë. Asetet mesatare neto për kontribues janë ende në nivele mjaft të ulëta, me rreth 140 mijë Lekë ose afërsisht 1200 Euro. Asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare.

Deri në fund të tremujorit II, në treg vepronin katër fonde të pensioneve private. Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 52.1% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 27.65% Albsig Pension me 10.5% dhe Raiffeisen Pension me 9.7%.

Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 44.9% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 28.5%, Raiffeisen Pension me 21.9% dhe Albsig Pension me 4.7%.

Në muajin prill, Bordi i AMF miratoi edhe një fond të ri pensionesh private, Smart Pension, që do të administrohet nga shoqëria Albsig Invest.

Këtë vit pritet që parlamenti të miratojë ligjin e ri për Fondet Private të Pensioneve, që synon të shtojë incentivat fiskale dhe t’i bëjë këto fonde për tërheqëse për publikun. Ligji i ri pritet të rrisë përjashtimin e kontributeve prej tatimit mbi të ardhurat deri në vlerën e pagës minimale mujore, si për punëmarrësin, ashtu edhe për punëdhënësin. Vlera e kontributeve do të përjashtohet nga tatimi edhe në momentin e përfitimit dhe pensioni privat do të tatohet vetëm për pjesën e kthimit nga investimi të kontributeve të akumuluara.

Megjithatë, drejtuesit e fondeve mendojnë se e vetmja mënyrë për të masivizuar pjesëmarrjen e shqiptarëve në këto fonde do të ishte përfshirja e tyre si kolonë integrale e sistemit të detyrueshëm të pensioneve./Monitor

Burimi: AMF