Pendarovski në Prishtinë: Kam qenë e jam kundër “Ballkanit të Hapur”

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka shprehur haptazi mospëlqimin e tij ndaj nismës së “Ballkanit të Hapur”.

Komentet ai i bëri gjatë vizitës në Prishtinë, ku zhvilloi edhe një takim me presidenten Vjosa Osmani.

Pendarovski ka numëruar tre arsyet se pse e bëjnë atë, si president i një shteti pjesëmarrës në këtë iniciativë, të ketë rezervat e tij për këtë nismë.

Madje, Pendarovski ka treguar se me të gjithë ndërkombëtarët i ka shprehur këto bindje të tij për këtë iniciativë dhe përfundoi duke thënë se kjo iniciativë është një mjet për bashkëpunim rajonal dhe një aspekt i Procesit të Berlinit, dhe aspak më shumë.

“Kur u paraqit propozimi i parë në vitin 2019, unë isha presidenti i parë që deklarova rezerva për iniciativën (Ballkani i hapur). Pse? Sepse konsiderova se nëse ajo iniciativë do të ishte përpjekje për restaurim të ndonjë Jugosllavie, unë jam kundër. E dyta – nëse kjo iniciativë është alternativë apo kompensim i aspiratave evropiane apo kompensim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, unë jam kundër.

Nga të gjithë pjesëmarrësit në të, përfshirë edhe kryeministrin tonë, Zoran Zaev, mora garanci se ideja e tyre nuk është e tillë. Kjo ishte në momentin kur u lansua iniciativa. Sot, e them atë që e përsëris me të gjithë bashkëfolësit e mi ndërkombëtar në dy vitet e fundit se kjo iniciativë ka mangësi që në fillimet e saj, sepse në vend se të marrin pjesë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, marrin pjesë vetëm gjysma. Dhe, qëndrimi im edhe më tej do të jetë – se derisa nuk kjo iniciativë nuk i përfshinë të gjithë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, nuk do të jetë e suksesshme.

E fundit – qëndrimi im dhe i kreut shtetëror të Maqedonisë së Veriut është se “Ballkani i Hapur”, me pretendimin që të përfshijë gjashtë shtetet e rajonit, mund të jetë vetëm një mjet, vetëm një nga instrumentet për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ekonomik, tregtar dhe politik dhe “Ballkani i hapur”, ashtu e kemi trajtuar dhe ashtu do ta trajtojmë, mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, të jetë një aspekt i Procesit të Berlinit, sepse Procesi i Berlinit, sipas bindjeve të mija të thella, është një iniciativë që ka institucione, ka resurse”, tha Pendarovski./albeu.com/

 

 


Shtuar 15.12.2021 14:05