Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e kundërshton tezën se ndryshimet në Kodin Penal janë bërë për të kthyer ish kryeministrin, Nikolla Gruevskin, në vend.
Ai thotë se “në asnjë rrethanë” nuk do të jepte amnisti si ish presidenti Gjorge Ivanov, por konfirmoi se i janë qasur me kërkesë për amnisti të Gruevskit nga kryesia e partisë më të madhe opozitare.
Pendarovski, në emisionin “VIN VIN” në Televizionin Tellma, shtoi se edhe po të ketë ndonjë plan për kthimin e Gruevskit, nuk do të kalojë përmes tij.
“Nuk kam plan A apo plan B. Unë nuk jam pjesë e asnjë plani. Kemi një muaj ligjin në fuqi, dekret të nënshkruar. Ku është Gruevski? Si u kthye? Ku është amnistia e fshehur? Mediat spekulojnë se Gruevski do të kthehet me mendim juridik parimor të Gjykatës Supreme. Atëherë pse janë ndryshimet në Kodin Penal, nëse mjaftoi miratimi i tyre që të kthehet”.
Duke folur për ndryshimet në Kodin Penal, Pendarovski tha se nuk janë të vërteta formulimet në media se bien ose vjetërohen më shpejtë lëndët e ish Prokurorisë Speciale Publike. Më pas ai shtoi se askush nuk i është afruar drejtpërdrejt për të kërkuar amnisti për ish kryeministrin , por sipas tij e gjithë kjo është bërë me ndërmjetës.
Presidenti i shtetit në lidhje me vërejtjet se ndryshimet në Kodin Penal janë miratuar me nxitim dhe ka vënë menjëherë nënshkrimin, tha se nuk i di motivet e Qeverisë, por shtoi se një kod i ri është duke u përgatitur që do të përmbajë një nen që do të trajtojë keqpërdorimet.