Ditën e sotme, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka deklaruar se janë njoftuar nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 15 prill 2026, për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.
Sipas PD-së, shqyrtimi i çështjes në këtë moment, pa u zbardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, përbën një “akt të paprecedent” dhe bie ndesh me parimet e shtetit ligjor.
Të lidhura
None found
Në reagim, demokratët e konsiderojnë këtë veprim si injorim të autoritetit të Gjykatës Kushtetuese dhe cenim të besimit publik tek vendimet e saj, duke e cilësuar njoftimin e Kryetarit të Kuvendit si antikushtetues.
“Kryetari i Kuvendit ka njoftuar sot thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për në datë 15.04.2026, ora 12:00, me rend dite: “Shyrtimi i projektvendimit “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Ky njoftim bëhet në kushtet kur projektvendimi përkatës përfshinë dispozita që janë shfuqizuar njëzëri nga Gjykata Kushtetuese, duke injoruar autoritetin e kësaj të fundit dhe në shkelje të parimeve bazë të funksionimit të shtetit ligjor.
Secili qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe partnerët tanë ndërkombëtar kujtojnë se për 3 muaj, Kryetari i Kuvendit z. Niko Peleshi refuzoi të thërriste mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të ish-Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, me arsyetimin se po priste zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me një kërkesë të Kryeministrit që nuk kishte asnjë lidhje me çështjen që shqyrtonte Kuvendi i Shqipërisë.
Ndërkohë që në rastin konkret, edhe pse rendi i ditës është qartësisht i lidhur me zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të njoftuar në datën 23 Shkurt 2026, Kryetari i Kuvendit ka ftuar deputetët në mbledhje, pa pritur zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo praktikë bie ndesh me nenin 132 të Kushtetutës dhe provon edhe njëherë vullnetin e mazhorancës për të injoruar zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Duke e konsideruar këtë akt si të paprecedent, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dënon me forcë provokimin e Kryetarit të Kuvendit z. Niko Peleshi dhe e konsideron njoftimin e bërë prej tij për të mbledhur Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ende pa u njoftuar vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese, si një veprim antikushtetues, që cënon parimet bazë të shtetit ligjor dhe cenon besimin e publikut tek autoriteti i padiskutueshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”,- thuhet në reagimin e PD-së.

