Partia Demokratike- Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka bërë një tjetër ankim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ, duke kërkuar shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun e Shkodrës.
selia pd
Në shkresën drejtuar KAS, PD-ASHM kërkon që të përsëriten zgjedhjet në të gjithë qarkun e Shkodrës, duke pretenduar se janë bërë manipulime.
Sipas denoncimeve të PD-ASHM, institucionet që duhet të ishin neutrale – nga bashkitë te degët vendore të ministrive – janë angazhuar aktivisht në favor të partisë qeverisëse.
Zyrtarë të ndryshëm janë akuzuar se kanë shpërndarë përfitime, kanë ushtruar presion dhe kanë kërcënuar votues potencialë të opozitës.
“Qytetarët janë vënë përballë një zgjedhjeje jo të lirë, por të blerë ose të imponuar. Aty ku funksionon Partia-Shtet, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme,” thuhet në dokumentin e PD-ASHM.
Për më tepër, opozita ka akuzuar për përdorimin e grupeve kriminale në zonat rurale, të cilat kanë ushtruar frikë dhe presion mbi votuesit, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin. Këto veprime, sipas tyre, kanë ndikuar që PD-ASHM të mos arrijë të marrë të paktën 6 mandate në një qark që tradicionalisht ka qenë bastion i së djathtës.
Deri tani, PD ka bërë ankim për qarkun e Kukësit, Vlorës dhe Gjirokastrës.