Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka dhënë një deklaratë për mediat nga selia blu, ku ka denoncuar atë që ai e cilësoi “një tjetër skandal korruptive në bashkinë e Tropojës”.
Ai ka akuzuar kryebashkiakun Rexhë Byberi, se vtëm një vetëm një javë pas daljes nga arresti shtëpiak, ka shpërdoruar sërish detyrën për të favorizuar familjarët e tij në një procedurë tenderimi.
Balliu tha se kompania e kushëririt të Byberit ka fituar tenderin me vlerë 82,911,061 lekë, pas skualifikimit të 10 kompanive të tjera me oferta më të ulëta për ndërtimin e një rruge që sipas deputetit nuk ka asnjë prioritet zhvillimor për Tropojën.
“Sipas dokumentacionit të tenderit, rruga kalon përmes Parkut Kombëtar të Valbonës dhe Parkut Natyror të Lumës e Gashit – zona të mbrojtura pyjore të cilat do të pësojnë dëmtime të rënda mjedisore. Ky projekt shkon drejt një destinacioni absurd: fshati Bradoshnicë, i braktisur prej vitesh, pa asnjë banor të përhershëm dhe me përdorim minimal vetëm gjatë verës. Ndërkohë, banorët e qytetit të Bajram Currit vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, kanalet vaditëse janë lënë në degradim, dhe fshatra të tëra të banuara nuk kanë rrugë të kalueshme“, tha Balliu ndër të tjera.
DEKLARATË E KLEVIS BALLIUT:
Partia Demokratike denoncon publikisht një tjetër skandal të rëndë korruptiv në Bashkinë e Tropojës, ku kryetari i saj, Rexhe Byberaj, vetëm një javë pas daljes nga arresti shtëpiak, ka shpërdoruar sërish detyrën për të favorizuar familjarët e tij në një procedurë tenderimi flagrante.
Më datë 15 korrik 2025, Bashkia Tropojë ka zhvilluar tenderin me objekt “Ndërtim Rruga Auto Kika – Gjarpri i Dragobisë – Qafë Paje”, me vlerë 82,911,061 lekë pa TVSH (99,493,273 lekë me TVSH), referencë REF-52709-06-27-2025, procedurë e publikuar në Open Procurement Albania.
Në këtë garë morën pjesë 11 kompani, prej të cilave 10 u skualifikuan, duke shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë BOE GRIALD & INA & VLLAZNIMI me ofertë 63,823,998 lekë pa TVSH (76,588,797 lekë me TVSH). Gjysma e këtij bashkimi operatorësh, kompania Vllaznimi shpk, drejtohet nga Bashkim Byberi – djali i xhaxhait të Rexhe Byberajt – duke krijuar një konflikt interesi të hapur dhe të rëndë.
Skualifikimi i 10 operatorëve të tjerë, përfshirë kompani me oferta dukshëm më të ulëta, tregon qartë se kjo procedurë nuk kishte si qëllim interesin publik, por përfitimin personal të kryetarit të bashkisë.
Më shqetësuese është fakti se ndërtimi i kësaj rruge nuk ka asnjë prioritet zhvillimor për Tropojën.
Sipas dokumentacionit të tenderit, rruga kalon përmes Parkut Kombëtar të Valbonës dhe Parkut Natyror të Lumës e Gashit – zona të mbrojtura pyjore të cilat do të pësojnë dëmtime të rënda mjedisore.
Ky projekt shkon drejt një destinacioni absurd: fshati Bradoshnicë, i braktisur prej vitesh, pa asnjë banor të përhershëm dhe me përdorim minimal vetëm gjatë verës. Ndërkohë, banorët e qytetit të Bajram Currit vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, kanalet vaditëse janë lënë në degradim, dhe fshatra të tëra të banuara nuk kanë rrugë të kalueshme.
Fakti që Bashkia Tropojë, e zhytur në borxhe, angazhon fonde për tre vite radhazi për një rrugë që “çon tek askush”, tregon se prioritet i vërtetë nuk është zhvillimi, por pasurimi personal dhe justifikimi për lirimin e Byberajt nga burgu.
Partia Demokratike dënon këto akte flagrante korruptive dhe i bën thirrje organeve të drejtësisë dhe institucioneve të monitorimit dhe të prokurimeve publike, nëse ka mbetur ndonjë, që të hetojnë menjëherë këtë aferë, të ndalojnë dëmtimin e pasurisë natyrore dhe të ndëshkojnë çdo zyrtar që abuzon me fondet publike për interesa familjare e klienteliste.