PD nxjerr emrat: Rama po u jep klientëve të tij tokën në Hamallaj

Nëpërmjet një deklarate për mediat zëdhënsja e Partisë Demokratike Ina Zhupa është shprehur se kryeministri Edi Rama është duke u dhënë klientëve të tij pasuritë publike.

Bëhet fjalë për një pjesë toke në bregdet, në Hamallaj, sipas Ina Zhupës kjo tokë është dhënë pa garë dhe pa asnjë transparencë.

“Më datë 19 Maj 2021, njëlloj siç ka bërë gjatë keqqeverisjes së tij, Edi Rama ka vendosur të trajtojë si plaçkë personale një tjetër pasuri publike të shqiptarëve. Plot 55 mijë m2 tokë në bregdet, në zonën e Hamallajt, pa garë dhe pa asnjë transparencë, ka vendosur t’ia jap dy miqve të tij në një biznes korruptiv, shoqërisë “Sviluppo Mare 1” sh.p.k., me pronar Redi Pezën dhe “S&D Invest” sh.a., me pronar Gentjan Sulën.

Çmimi i vendosur për shitje është disa herë më i ulët se çmimi i tregut në atë zonë bregdetare, rreth 1,100 lekë për metër katror. Siç provon ky dokument shtetërore, vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 292, datë 19.5.2021, 55 mijë metra tokë shtetërore në bregdet i është dhënë dy oligarkëve të Edi Ramës, Redi Peza dhe Gentjan Sula, për 59,565,000 lekë.”- tha Zhupa.

Ndër të tjera Zhupa shprehet se PD i kërkon SPAK të nis hetimet për një veprim të tillë.

“Partia Demokratike i kërkon SPAK të hetojë menjëherë këtë aferë të rëndë korruptive dhe të vendos përpara përgjegjësisë plaçkitësit e pasurisë publike. Shqipëria dhe pasuritë e saj, duhet t’i shërbejnë shqiptarëve dhe rritjes së mirëqenies së tyre. Pronat shtetërore duhet të shërbejnë për t’i dhënë fund sa më parë procesit të kompensimit të pronarëve të ligjshëm.

Prona shtetërore duhet t’i shërbejë vetëm interesit publik dhe interesit të qytetarëve shqiptarë. Ndaj ne do luftojmë kundër kësaj pakice plaçkitësish që pengoi përkohësisht ndryshimin, derisa t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve.​”- përfundoi ajo.


Shtuar 28.06.2021 13:31