“PD nuk është pronë e kryetarit dhe as e sekretarit”, Salianji: Drejtuesit e partisë nuk po lejojnë garën e brendshme! S’mund të flasim për ndryshimin në Shqipëri, duke refuzuar ndryshimin brenda vetes

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka deklaruar nga Fieri se rotacioni politik në Shqipëri mund të vijë vetëm përmes votës së lirë dhe një opozite të fortë, duke theksuar se Edi Rama nuk mund të rrëzohet me iluzione, por vetëm në kutitë e votimit.

Salianji kritikoi drejtues të PD-së për mungesë llogaridhënieje dhe refuzim të garës së brendshme, duke e cilësuar këtë si mungesë integriteti politik dhe përgjegjësie historike ndaj demokratëve që, sipas tij, kanë duruar 13 vite në opozitë.

“Iluzionet e disa drejtuesve të PD-së për të mos lejuar garën e brendshme, përveçse mungesë e integritetit politik, shprehin mungesë të thellë të përgjegjësisë historike për sakrificat e demokratëve në 13 vite opozitë. Përjashtimet imagjinare, etiketimet absurde, miqtë dhe armiqtë imagjinarë nuk duhet t’u shtohen më ndasive tona. Boll janë shpëtuar pjesë nga PD ndër vite”, theksoi deputeti.

Salianji nënvizoi se nuk mund të kërkohet ndryshimi në Shqipëri pa ndryshuar më parë vetë Partinë Demokratike.

“Nuk mund të flasim për ndryshimin në Shqipëri duke refuzuar ndryshimin në PD. Nuk mund të kërkojmë votën duke mos parë fajet dhe defektet që kemi vetë. Në këtë mënyrë, Edi Rama nuk mund të mposhtet”, tha ai.

Salianji: Edi Rama është ende në qeveri, fatkeqësisht, me më shumë mandate dhe me më shumë vota. Shumë thonë se fundi i tij ka ardhur dhe se po i vjen fundi. Fundi i kësaj qeverie vjen edhe me ndihmën e drejtësisë, që po e çmonton dita-ditës, me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, por llogaritë finale bëhen në kutitë e votimit, sepse rotacioni është proces politik.

Kundërshtarin nuk e zgjedhim ne, ai është Edi Rama dhe duhet përmbysur në kutitë e votimit, duke frymëzuar shumë njerëz, duke shkuar dhe duke protestuar në çdo cep të Shqipërisë. Sepse të gjitha të tjerat janë ëndrra në sirtarë që i kemi parë tash e 13 vite me radhë.

Jemi në Fier, si në çdo qytet tjetër, për të hapur një shtet shprese për shqiptarët, një kapitull të ri për PD-në. Unë di të pres, demokratët dinë të presin, dinë të durojnë, por kanë duruar boll 13 vite në opozitë dhe 13 vite që përsëritet e njëjta përrallë e rreme të gjasme rrëzimit të qeverisë.

Dua ta them qartë se me ne disa prej lidershipit nuk i kanë bërë mirë llogaritë. Sepse ne, dhe unë personalisht, nuk kemi ardhur në politikë për të heshtur padrejtësisht, por për të folur përballë qytetarëve, përballë lidershipit, ashtu siç kam folur përballë qeverisë, për të vërtetat që shqetësojnë demokratët dhe qytetarët shqiptarë.

Iluzionet e disa drejtuesve të PD-së për të mos lejuar garën e brendshme, përveçse mungesë e integritetit politik, shprehin mungesë të thellë të përgjegjësisë historike për sakrificat e demokratëve në 13 vite opozitë. Përjashtimet imagjinare, etiketimet absurde, miqtë dhe armiqtë imagjinarë nuk duhet t’u shtohen më ndasive tona. Boll janë shpëtuar pjesë nga PD ndër vite.

Këto janë gënjeshra dhe rrena të poshtra që i kanë lënë demokratët 13 vite rrugëve, ndërsa pushteti i Edi Ramës është forcuar dhe Shqipëria është varfëruar. PD nuk është pronë e askujt, as e imja, as e juaja, as e kryetarit, as e sekretarit, por e të gjithë demokratëve që mbajnë në supe barrën e rëndë të opozitarizmit.

PD është pronë e demokratëve dhe shpresë e qindra shqiptarëve që presin rotacionin prej vitesh të ndodhë në Shqipëri. PD nuk mund të jetë kurrë e fortë pa garë, pa përgjegjësi. Çdo përpjekje për t’i shmangur këto e dobëson dhe e largon nga qytetarët.

Nuk mund të flasim për ndryshimin në Shqipëri duke refuzuar ndryshimin në PD. Nuk mund të kërkojmë votën duke mos parë fajet dhe defektet që kemi vetë. Në këtë mënyrë, Edi Rama nuk mund të mposhtet.


Shtuar 3.02.2026 18:08