PD kërkon 60 minuta debat në seancë plenare, kërkesë Spiropalit: Po shkelet Rregullorja, ndryshoni rendin e ditës

Këtë të enjte, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ka kërkuar që në seancën plenare që nis pas pak në Kuvend, të parashikohet edhe një periudhë kohore prej 60 minutash për debat.

“Znj. Kryetare e Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është njohur me urdhrin tuaj nr. 16, datë 22.05.2025 “Për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare, datë 29.05.2025, ora 12:00”, i cili ndër të tjera bie ndesh me nenin 45 të Rregullores së Kuvendit, ku theksohet se: “Në fund të rendit të ditës çdo deputet mund të diskutojë për çështje të ndryshme që ai i konsideron se duhen bërë publike në seancë plenare…. Koha e përgjithshme për diskutimin e këtyre çështjeve nuk mund te jetë më shumë se 60 minuta”.

Për këtë arsye, në mbështetje me nenin 31 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë që të ndryshohet Rendi i Ditës dhe të përfshihet si pikë e 3 e tij:

Diskutim jashtë rendit të ditës për 60 min.

Përsa më lart, kërkojmë respektimin e nenit 45 të Rregullores së Kuvendit.

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE”, thuhet në shkresën dërguar kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.


Shtuar 29.05.2025 11:59