Partia Demokratike, ka depozituar sot në Gjykatën Kushtetuese, ankimimin e ligjit të ndryshuar për Komisionet Hetimore. Kërkesa është firmosur nga 33 deputetë të opozitës.
Deputetja Dhurata Çupi, foli për mediat jashtë ambienteve të gjykatës dhe u bëri thirrje Kushtetueses të jetë në lartësinë e integritetin që përfaqëson.
“I bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese të jetë në lartësinë e integritetin që jep posti i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Ju kujtoj se nuk janë strukturë e PS-së por është një institucion që duhet të këtë integritetin e institucionit që përfaqësojnë. Ka një praktikë që i njohin të drejtën pakicës parlamentare si instrument kontrollit të pushtetit ekzekutiv”, tha Çupi.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i kërkoi Kuvendit të kthente për rishqyrtim ligjin për Komisionet Hetimore.
Bardhi deklaroi se hyrja në fuqi e këtij ligji antikushtetues, nuk lejon kontrollin efektiv parlamentar nga ana e pakicës.