PD: Bandat, presion edhe në Tiranë! Berisha thotë se nuk do ti njohë kurrë zgjedhjet e 11 majit

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha vazhdoi betejën e përditshme për të bindur opinionin brenda dhe jashtë vendit se procesi i 11 majit ishte farsë elektorale.

Berisha deklaroi se edhe në Tiranë u ushtrua presion mbi zgjedhësit nëpërmjet bandave kriminale.

“‘Hakmarrja për drejtësi’ është një bandë me degën e saj të fuqishme në Tiranë, pavarësisht se tani për tani, qendrën e kanë në Lushnje dhe kanë zëvendësuar bandën e Aldo Bares. Por në Tiranë janë eksponentë kryesorë të saj, ndër të cilët Dabullët dhe të tjerë. Segmente të bandës së Shullazit”, tha Berisha.

Berisha sqaroi se po shpërndan tek faktori ndërkombëtar raportin e dytë për procesin e 11 majit, duke përsëritur se këto zgjedhje nuk do të njihen

“PD deklaron se nuk njeh kurrë këtë farsë elektorale. Farsa më e shëmtuar e zhvilluar që nga rënia e Perdes së Hekurt gjer sot në Europë”, shtoi ai.

Ndërkaq Berisha mbështeti kërkesën e kandidatëve të PD për rinumërim të votave.

“Edhe para dy ditësh, kam përsëritur udhëzimin që çdo kandidat që kërkon transparencë, t’i jepet mbështetje nga partia”,deklaroi Berisha.

Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur 4 kërkesa për rinumërimin e votave nga kandidatët e PD; Ilir Alimehmeti, Moza Hadarmataj, Lisander Hoxha dhe Aulon Kalaja.


Shtuar 30.05.2025 15:17